Rama: Ndaj Italisë me flamur dhe drone

Për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, vendi i tij tashmë ka krijuar një imazh krejt ndryshe në sytë e ndërkombëtarëve. 

Lajme

21/10/2014 18:50

Gjatë konferencës “Itali-Shqipëri, një partneritet europian”, ku merrte pjesë edhe ish-kryeministri i vendit fqinj Romano Prodi, Rama duke folur për incidentin në Beograd, u shpreh se nuk ka pasur asnjë telefonatë për të mos anuluar takimin me Vuçiqin dhe kjo tha ai është një kompliment.

“Askush s’më ka marrë mua në telefon të më thotë ‘mos e anulo takimi me Kryeministrin serb’. Por, pse e them ketë? Për një arsye shumë të thjeshtë, sepse unë e marr si komplimentin më të madh për imazhin e ri që ne po i japim Shqipërisë dhe për besimin që kemi krijuar tek ky imazh europian, pas cenimit të rëndë që politika i bëri figurës së vendit tone, me ca klithma nacionaliste, që ishin ‘vajmedet’. Ne nuk na bën europianë ose jo europianë askush tjetër, përveç vetvetes. Shqipëria europiane nuk është një fije bari në një fushe futbolli, që shkulet me një goditje, por një trung që rrënjët e veta i ka thellë në historinë e saj”, transmetojnë mediat nga Tirana .

“Ndërsa degët e veta më të reja i ka në çdo mendje dhe në çdo zemër shqiptare, kudo ku jeton, që rriten në Europën e shpresës, në Europën e dijes, në Europën e kulturës, në Europën e paqes dhe të prosperitetit, e cila vjen nga bashkëjetesa dhe nga bashkëpunimi në paqe”, tha kryeministri i Shqipërisë.

Rama zgjodhi ironinë si përgjigje ndaj sulmeve të palës serbe.

“Pas pak, më pak se 1 muaji, më në fund, do të bëhet realitet dhe një ëndërr tjetër, shumë e vjetër e shqiptarëve. Më në fund, Shqipëria do të luajë futboll me Italinë. Me siguri, shumë shqiptarë do të shkojnë në stadium me flamujt e tyre, madje po të duan, edhe me drone-t e tyre, që tanimë kanë filluar të shiten në supermarkatot e Gjermanisë me emrin ‘Albaniche Drone’. Kushtojnë, më duket, nga 5 euro. Askush nuk e dinte autorin e dronit, por vëllait tim i ra fatkeqësia të hyjë, pa bërë asgjë, në listën e gjatë të heronjve të rremë ballkanikë. Sa shumë heronjë të tillë ka prodhuar Ballkani, që s’kanë bërë asgjë për të qenë heronjë”, nënvizoi ai.