Rama mbron “Mini-Shengenin” në Londër

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mori pjesë në samitin e BERZH-it që zhvilloi punimet në Londër ku edhe një herë mbrojti “Mini-Shengenin” ballkanik si një nismë që do t’i krijojë më shumë lehtësira qytetarëve të Ballkanit.

Lajme

24/02/2020 15:00

Në të njëjtin panel ku ndodhej edhe homologu i Kosovës, Albin Kurti dhe ajo e Serbisë, Ana Bërnabiq, kryeministri shqiptar e quajti nismë të suksesshme “Mini-Shengenin”, pavarësisht se deri më tani ka marrë dakordësinë vetëm nga Beogradi, Tirana dhe Shkupi.

“Deri në 2014 nuk ishin ulur kurrë kaq lehtë me njëri-tjetrin, pa armë, pa urrejtje, pa gjakderdhje, për të folur për të ardhmen. Natyrisht kemi probleme për të zgjidhur, por ne jemi duke punuar së bashku dhe duam të ndërtojmë së bashku të ardhmen e fëmijëve tanë. Nuk bie dakord me termin “Mini-Shengen”, nuk është aspak mini, pasi ne të jemi nga më të gjatët në rajon. Është një hapësirë rajonalë, ku bëhet fjalë për 4 liritë e lëvizjes”, tha Rama.

Edhe në Londër, shefi i qeverisë shqiptare foli për zhgënjimin që solli vendimi negativ i tetorit sa i përket çeljes së negociatave, ndërsa pranoi se Brukseli e ka të vështirë të kuptojnë politikën shqiptare.

“Për sa i përket procesit të integrimit jemi përballur me shumë zhgënjime. Kroacia është njëfarë agjenti ynë në Bruksel dhe në të njëjtën kohë edhe përkthyesi ynë në Bruksel. Natyrisht është më e lehtë të na e përkthesh neve Brukselin se sa të na përkthesh neve në Bruksel. Por ajo që është e rëndësishme është ndërtimi i autostradës Ballkani Perëndimor”, vijoi Rama.

Në fund të fjalës së tij Edi Rama nënvizoi edhe disa nga projektet për të cilat Shqipëria kërkon investime siç është aeroporti ndërkombëtar i Vlorës, parqet, investimet hidrike./ora