Rama-Holande: Takim përtej pritshmërive

Kryeministri i Shqipërisë, Edvin Rama u prit të mërkurën pasdite në një takim të veçantë nga presidenti i Francës, François Hollande, ku u bisedua lidhur me dhënien e statusit kandidat Shqipërisë. 

Lajme

11/06/2014 21:39

Hollande i shprehu Ramës mbështetjen e Francës për integrimin europian të Shqipërisë. Gjithashtu presidenti francez theksoi se Shqipëria shihet si vend stabiliteti në rajonin e Ballkanit.

Në takim u bisedua edhe për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, ku Hollande vlerësoi rritjen e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe kulturës, por edhe bashkëpunimin ushtarak e policor.

“Takimi me Presidentin i kaloi pritshmëritë tona. Ishte një takim shumë i hapur, shumë miqësor, shumë i drejtpërdrejtë. Patëm mundësinë të shtjellojmë në gjithë përmasat e veta domosdoshmërinë që ka sot Shqipëria dhe Ballkani për t’u integruar në Bashkimin Europian. Por, edhe domosdoshmërinë që ka Bashkimi Europian për të kuptuar se sa të nevojshëm e ka Shqipërinë dhe Ballkanin.  Unë jam optimist dhe e konsideroj këtë vizitë, një vizitë përtej pritshmërive”, ka shkruar Rama në Twitter, raporton gazeta Shekulli.