Rama fton sipërmarrësit turq të investojnë në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama sheh te Turqia jo vetëm ndryshimin e një vendi, por edhe një vend me të cilin Shqipëria mund të forcojë marrëdhëniet ekonomike, shkëmbimet tregtare dhe shtimin e numrit të investitorëve të saj në Shqipëri.

Lajme

30/04/2015 23:55

Në vizitën njëditore në Stamboll, kreu i qeverisë shqiptare përpara forumit të biznesmenëve turq paraqiti fushat ku mund të investohet në Shqipëri.

“Shqipëria është një vend shumë i bukur dhe ambicia jonë është të krijojmë kushtet për investime direkte shumë të rëndësishme në disa fusha, ndër të cilat kryesorja është turizmi”.

Rama kërkoi që investimet të orientohen në 5 fusha kryesore: energjia, nafta, mineralet, bujqësia e manifakturat, si dhe turizmi, si një destinacion totalisht i paeksploruar, por që shumë botime prestigjioze ndërkombëtare, si dhe agjenci të mëdha të turizmit, vit pas viti po e shtojnë Shqipërinë në sugjerimet e tyre për turistët, transmetojnë mediat shqiptare.

“Shpresojmë fort, se do të krijojmë kushtet dhe të bindim investitorët turq që të vijnë në Shqipëri dhe të investojnë në turizëm. Duam të investojmë në një turizëm të cilësisë së lartë. Dhe Shqipëria ka një cilësi fantastike, sepse nuk është kurrë një vend i mërzitshëm. Ndaj, ju lutem, ejani dhe qëndroni në Shqipëri një, dy, tre, katër ose më shumë ditë, dhe keni për të parë se do të përjetoni shumë gjëra, por kurrë nuk do të mërziteni”, tha Rama.