Rama do të përulet para lapidarit në Preshevë, të hequr dhunshëm para 1 viti

Kryeministri Edi Rama do të qëndrojë nesër për vizitë në Preshevë. Tashmë kjo Komunë ka bërë të gjitha përgatitjet për këtë vizitë, madje është përkujdesur që të vendos pano nëpër qytet ku shkruhet “Mirë se vjen kryeministër”, të cilat mund t’i gjesh pothuajse në cdo pjesë të qytetit.

Lajme

10/11/2014 20:02

Kryeministri Edi Rama, kishte qenë para dy vjetësh në Preshevë, por atëherë në cilësinë e kreut të opozitës.

Nesër ai  do të rikthehet, për  t’u përulur para lapidarit të Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, i hequr në mënyrë të dhunshme në vitin 2013.

Më 28 janar të vitit 2012, Rama është përulur para këtyre dëshmorëve, por në cilësinë e kreut të opozitës shqiptare të asaj kohe. Ndërsa vizita tjetër e ish-kreut të opozitës Edi Rama në Preshevë ka qenë më 18 nëntor të po atij viti, kur ai është nderuar me titullin “Mirënjohje e Preshevës”.

Sipas axhendës, pritet që kryeministri Rama të mbajë një fjalim në podiumin e sheshit “Liria” si dhe të kryejë një vizitë në maternitetin e financiar pjesërisht nga qeveria Shqiptare, për të vijuar më tej me vizitë në institucione arsimore dhe biznese.  

Kryeministri Rama gjatë vizitës në Preshevë do të shpallet “Qytetar Nderi” i kësaj Komune. Këtë gjë e ka konfirmuar për lajmi.net, Kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa.