Rakiq theu heshtjen zgjedhore, VV dorëzon ankesën në PZAP

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Mitrovicën e Veriut, Erden Atiq, ka bërë të ditur se LVV-ja ka dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ankesën për shkelje të heshtjes zgjedhore nga zëvendëskryeministri Goran Rakiq.

Lajme

29/11/2020 13:45

Po ashtu Atiq në një reagim thotë se kandidati për kryetar të kësaj komune nga Lista Serbe, Milan Radeojoviq, është deklaruar në kundërshtim me ligjet e Kosovës duke mohuar shtetësinë dhe ofenduar qytetarët.

Reagimi i plotë i Atiq:

Shkelësit e ligjit nuk mund të qeverisin, ata që nuk njohin ligjet nuk sigurojnë zbatimin e tyre!

Ata që i drejtohen Republikës së Kosovës me ‘’Kosovo i Metohija’’ nuk mund të përfaqësojnë qytetarët e këtij vendi.

Kryetari i listës serbe, që njëherësh është zëvendës kryeministër, Goran Rakiq ka bërë thirrje të votohet Lista Serbe, duke thyer kështu ligjin për zgjedhje dhe heshtjen zgjedhore, ndërkohë kandidati për kryetar të veriut Radejoviq ka bërë një deklaratë që është në kundërshtim me ligjet në Kosovë, duke mohuar shtetësinë tonë dhe duke ofenduar qytetarët e pjesës veriore!

Zyrtarët tonë ligjor kanë dorëzuar ankesën për shkeljen e heshtjes zgjedhore në PZAP. /Lajmi.net/