Rakacolli: Nuk ndryshojnë masat anti-COVID

Komiteti Teknik i Ekspertëve është mbledhur mesditën e sotme, lidhur me situatën e krijuar nga koronavirusi, ku ka njoftuar se nuk do të ketë asnjë ndryshim të masave anticovid që janë aktualisht në fuqi.

Lajme

22/09/2021 14:14

“Nuk do të ketë ndryshim të masave anti covid pasi situata është e qëndrueshme” tha Mira Rakacolli.

Ora policore do të vijojë të jetë në fuqi nga ora 23:00 e mbrëmjes deri në orën 06:00 të mëngjesit. Gjithashtu, lejohet grumbullimi i qytetarëve deri në 50 vetë dhe në 30 % të kapaciteteve të ambienteve sportive apo kulturore. Mbeten në fuqi masat për hyrje-daljet nga vendi. Maskat do të vijojnë të jenë të detyrueshme në ambjentet ku është e nevojshme si në autobuze, supermarkete etj.

Rakacolli theksoi edhe një herë rëndësinë e vaksinimit, duke e konsideruar atë si armën më të mirë në dorë të qytetarëve. Ndërkaq drejtoresha e ISHP-së Silva Bino tregoi se bashkia me mbulesën më të mirë vaksinale deri më tani është Gjirokastra.

Profesor Dhimitër Kraja ka informuar mbi situatën me shtrimet në spitalin COVID-1 dhe COVID3, ku aktualisht marrin shërbim pacientët e infektuar me koronavirus. Kraja pohoi se të shtruar janë 230 pacientë, ndërsa shtoi se ka një kapacitet prej 30% të lirë në dy spitalet.

Mes të tjerash ai nënvizoi faktin se mes të shtruarve ka edhe gra shtatzëna dhe mosha të reja deri në 19 vjeç.

“Në spitalin Covid 1 dhe 3 në QSUT, ndodhen të hospitalizuar 230 pacientë. Kapaciteti është i disponueshëm, pasi kapaciteti prej 30 % është u lirë. Të shtruarit vijnë kryesisht nga Tirana, Durrësit, Elbasani, por dhe nga rrethet të ndryshme. Grupmoshat janë nga 19 vjeç deri në 89 vjeç. Mbizotëron mosha 50-60 vjeçe. Në këtë fazë ka më shumë raste të grave shtatzëna që vijën me CVID, një pjesë e të cilave janë dhe me forma serioze. Rreth 95% e rasteve janë të pavaksinuar. Sa i përket formave klinike, rreth 63% e rasteve paraqesin forma të mesme, të rënduara. 24 % janë forma të rënda dhe 13 % forma kritike. Të intubuar janë 13, në sipap janë 16 pacientë.

A ka fatalitet nga rastet e vaksinuara?

Ka dhe ato janë më të vogla. Janë praktikisht 0.0.06% e tyre. vdekjet ditore luhajten nga 5.1-5.4%.”, tha ai.