Rahovec, një femër i shpëton dhunës duke ikur me çarçaf nga dritarja

Në Xërxë të Rahovecit, një femër, punëtore në një restorant, ka arritur të ikë duke u lëshuar me çarçaf nga dritarja e një dhome, pasi më parë ishte rrahur dhe izoluar aty nga një person. 

Lajme

19/05/2014 10:52

Policia Rajonale e Prizrenit ka bërë të ditur, se sot rreth orës 06:00 të mëngjesit, një patrullë e policisë nga Rahoveci e cila po patrullonte në rrugën magjistrale Prizren-Gjakovë, ka hasur një femër e cila ishte e lënduar dhe ka kërkuar ndihmën e policisë. 

Viktimën, bëhet e ditur se, policia e ka dërguar për ndihmë mjekësore në Shtëpinë e Shëndetit në Rahovec e më pas në Spitalin Rajonal të Gjakovës për trajtim mjekësor.

Pas një hetimi fillestar, është bërë e ditur se viktima e cila ishte e punësuar në restorantin “MERGIMI” në Xërxë, dhe për arsye ende të panjohura ishte rrahur gjatë natës nga i dyshuari B. TH. dhe ishte mbyllur në një dhomë të restorantit.

Më pas viktima ka ikur nga restoranti nëpër dritare  të dhomës duke u lëshuar me çarçaf krevati. 

Policia njofton se e ka arrestuar të dyshuarin i cili po mbahet nën masën e arrestit policor me urdhër të prokurorit të shtetit.