Rafuna: Kosova nuk aplikoi për t’u anëtarësuar në IOTA, Serbia i ka dhënë konotacion politik

22:16 | 9 Korrik 2019

Organizata Intra-Evropiane e Administratave Tatimore

Gjatë ditës së sotme mediet serbe raportuan se ia kanë pamundësuar Kosovës anëtarësimin në Organizatën Intra-Evropiane të Administratave Tatimore (IOTA).

Gjatë ditës së sotme, mediet në Serbi raportuan se e kanë pamundësuar anëtarësimin e Kosovës në Organizatë Intra-Evropiane të Administratave Tatimore (IOTA).

Mirëpo një gjë të tillë e kanë mohuar autoritetet kosovare.

Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave, Bedri Hamza, ka thënë për lajmi.net, se Kosova nuk ka aplikuar fare për t’u anëtarësuar në këtë organizatë.

Lexo edhe:

Serbia vazhdon propagandën, pamundëson anëtarësimin e Kosovës në një organizatë të rëndësishme

Sipas tij, në mbledhjen e fundit të Asamblesë së Përgjithshme të IOTA-s, kanë qenë vetë anëtarët e kësaj organizate që kanë kërkuar që të hiqet neni i cili ia pamundëson anëtarësimin jo vetëm Kosovës, por të gjitha vendeve që nuk janë vende anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

“E para Kosova nuk ka aplikuar fare në IOTA, nuk ka të bëj me Kosovën kjo. IOTA është një institucion – organizatë ndër-evropiane që është puro administrative që i mbledh vetëm Administratat Tatimore për të diskutuar për çështje të ndryshme, nuk është ndonjë organizatë politike, diplomatike siç janë agjencitë e specializuara siç janë për shembull Kombet e Bashkuara, ose siç është Organizata Botërore e Doganave. Administrata Tatimore prej vitit 2015 është në kontakt dhe merrë pjesë nëpër takime, ka marrë pjesë dhe mori pjesë edhe kësaj here në takimet e tyre. Mirëpo, kësaj here ata e kanë motivuar Administratën Tatimore të Kosovës që në qoftë se bëhet ndryshimi i një neni të rregullores të Organizatës t’iu bashkëngjitet edhe Administrata Tatimore e Kosovës kësaj organizate. Gjatë votimit nuk është bërë plotësim-ndryshimi, ai nen ka pas të bëj për Kombet e Bashkuara për rregulloren e kësaj organizate  ku thuhet se vetëm ato shtete që janë anëtarë të OKB-së mund të bëhen pjesë e kësaj organizate”, ka sqaruar Rafuna për lajmi.net.

Sipas tij, kjo kërkesë ka ardhur nga vetë kjo organizatë dhe se nuk ka qenë kërkesë e Kosovës.

“Kështu që kjo kërkesë nuk ka qenë e Kosovës, por vetë organizata e ka iniciuar një kërkesë të tillë dhe jo vetëm për neve por edhe për shtet e tjera që të mund të bëhen anëtarë të kësaj organizate dhe të hiqet ai nen nga rregullorja dhe vet anëtarët e kësaj organizate nuk e kanë heq këtë nen edhe me mos heqjen e këtij neni, Kosova s’ka pas të bëj hiq me u angazhua me aplikua sepse ne nuk jemi pjesë e Kombeve të Bashkuara”, deklaroi Rafuna.

Ai ka treguar se në takimin e fundit iu është kërkuar që kësaj çështje të mos i japin konotacion politik, por Rafuna thotë se Serbia e bëri një gjë të tillë.

“Mirëpo, kjo organizatë është puro administrative dhe nuk ka të bëj asgjë politike. Neve na është tërhequr vërejtja vet kur kemi qenë, pra kur na kanë ftuar që të jemi pjesë e kësaj mbledhje të fundit dhe na kanë thënë që të mos i japim konotacion politik, por fatkeqësisht Serbia i ka dhënë konotacion politik mirëpo, s’ka pas të bëj ajo me Kosovën e as me Administratën Tatimore”, ka deklaruar Rafuna për lajmi.net.

I pyetur se sa është i rëndësishëm anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë, Rafuna ka thënë se, kjo organizatë nuk është ndonjë organizatë vendimmarrëse e as politike dhe mosanëtarësimi i Kosovës në IOTA nuk do të ishte ndonjë humbje e madhe për vendin.

“Hiq absolutisht, është vetëm puro-profesionale teknike. S’ka të bëj me asgjë tjetër sepse nuk është organizatë vendimmarrëse, nuk është organizatë këshillëdhënëse. Nuk është politike por fatkeqësisht Serbia i dha konotacion politik, a në fakt nuk është asgjë”, theksoi Rafuna.

Rafuna u shpreh se ka qenë kërkesë e IOTA-s që Kosova të bëhet anëtare e saj.

“Kjo ka qenë e kësaj organizate e IOTA-s që të bëhemi pjesë dhe nuk ka qenë e jona që ne t’i bashkëngjitkemi kësaj organizate dhe kjo është puro administrative. Ne marrim pjesë, jemi pjesë e saj mirëpo, ideja ka qenë që vetëm të formalizohet anëtarësimi dhe ka qenë ideja që të hiqet ai nen dhe të bëhemi anëtare e barabartë e saj. Por s’ka pasur nevojë as lobim as asgjë, por Serbia e ka keqpërdorur këtë”, u shpreh Rafuna.

Sipas tij, nëse kjo organizatë do të ishte e rëndësishme, Kosova e në veçanti Ministria e Financave me kohë do t’i merrte masat për bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar.

“Ministria e Financave kur i merr iniciativat për t’u anëtarësuar në organizatat politike dhe diplomatike, siç e kemi pasur rastin në Organizatën Botërore të Doganave, e që jemi anëtarësua. Ministria e Financave bashkëpunon ngushtë me Ministrinë e Punëve të Jashtme edhe me gjithë partnerët ndërkombëtar që me u anëtarësua. Edhe në organizatën Botërore të Doganave, kur jemi anëtarësua përkundër shumë përpjekjeve të Rusisë, Kinës e Serbisë ne kemi arritur që të anëtarësohemi dhe tani jemi pjesë e barabartë e të gjithë shteteve në këtë organizatë. Dhe Dogana e Kosovës është i vetmi institucion që është i anëtarësuar në ndonjë Organizatë Botërore”, u shpreh Rafuna.

Theksojmë se Serbia propagandën e saj kundër Kosovës vazhdon ta shpreh në çdo lëmi dhe nëpër shumë shtete të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. /Lajmi.net/