“Radojçiqin në veri e nxori Vuçiqi për ta shpërqendruar vëmendjen”

Paraqitja e së martës përmes një videoje e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojçiq, i cili është në listën e zezë amerikane, nga analisti i sigurisë Agim Musliu, po konsiderohet si një fragment i luftës hibride serbo-ruse. Musliu ka thënë se Radojçiq ka dalë në opinion nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq për të treguar se ai mund ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor.

Lajme

06/07/2022 11:08

Të martën, Radojçiq, i njohur si një nga bosët e krimit në veri të Kosovës, u paraqit në një video në YouTube. Ai tha se është në Kosovë ndërsa u shpreh se “më s’ka kthim prapa”.

“Adresimi i stilit të tillë padyshim që është bërë me miratimin e Aleksandar Vuçiqit. Përndryshe, pse fshihej deri sot ky kriminel? Kjo është pyetje retorike, por që vërtet e ka përgjigjen brenda”, ka thënë Musliu për KP.

“Vuçiqi e ka nxjerrë Radoiçiqin në këtë kohë për ta rritur vlerën e vet dhe për ta shpërqendruar vëmendjen e Perëndimit në mospërcaktimin e tij për t’i vënë sanksione Rusisë. Në fakt, kjo më së shumti i përshtatet luftës hibride të Vladimir Putinit, sepse çdo konflikt eventual në Ballkan, e shpërqendron vëmendjen e Perëndimit nga agresioni rus në Ukrainë”.

Sipas Musliut, tonet kërcënuese të Radojçiqit janë edhe për serbët në veri, “të cilët tashmë janë bërë të padëgjueshëm sa i përket thirrjeve të Serbisë për revolta”.

“Një pjesë e madhe e serbë të komunave veriore të Republikës së Kosovës e kanë vërejtur se ata po përdoren nga strukturat kriminale në veri për interesa kriminale. Për fat të keq, këto struktura udhëhiqen dhe përpiqen të legjitimohen nga një parti parlamentare siç është Lista Serbe, nënkryetar I së cilës është krimineli Radojçiq”, ka përfunduar Musliu.

Në fund të vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin vendosur sanksione ndaj një grupi të krimit të organizuar që vepron në veri të Kosovës, në krye të së cilit është Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq.

Sipas Zyrës së Kontrollit për Pasuritë e Huaja të Departamentit të Thesarit (OFAC), përveç Radoiçiqit Veselinoviqit në grupin e krimit të organizuar që vepron në veri të Kosovës janë edhe i vëllai Zvonkos, Zharko Veselinoviq, pastaj Zhelko Bojiq, Milan Mihajloviq, Sinisha Nedeljkoviq, Radovan Radiq, Milan Radisavleviq, Milojko Radisavleviq, Marko Rosiq, Radule Steviq dhe Milivoje Vuloviq.