Ra rezultati i zgjedhjeve e LDK-ja po pëson sërish “krisje”- deklarata e Hotit dikë e heshti, dikë e nxori zbuluar si “kundërshtarë” të Abdixhikut

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk arriti që të marrë rezultatin që pretendohej në zgjedhjet e 9 shkurtit. Figura kryesore e kësaj partie, që është Lumir Abdixhiku ishte “shpresëdhënës” e kokëlart se zgjedhjet e shkurtit do të jenë të LDK-së, të fituara nga vetë ai. Anipse Abdixhiku në të gjitha tubimet elektorale shprehej i bindur në…

Lajme

19/03/2025 14:10

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk arriti që të marrë rezultatin që pretendohej në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Figura kryesore e kësaj partie, që është Lumir Abdixhiku ishte “shpresëdhënës” e kokëlart se zgjedhjet e shkurtit do të jenë të LDK-së, të fituara nga vetë ai.

Anipse Abdixhiku në të gjitha tubimet elektorale shprehej i bindur në fitoren e LDK-së dhe udhëheqjen e shtetit nga kjo parti, ata dolën më keq në fakt dolën si parti e tretë me shumë pak vota nga ajo që priste vetë kryetari.

Pak vota, e numër të vogël të deputetëve pritet të ketë LDK-ja në legjislaturën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës- nëse qeveria do të mund të formohet nga partia e parë fituese gjithnjë.

E në zhvillimet brenda LDK-së pas zgjedhjeve pati edhe zhurma të shpeshta. Madje siç mësohet në mbledhjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës të zhvilluar ditë më parë e që zgjati mbi 7 orë pati edhe diskutime të ngjashme për mundësinë e largimit të Lumir Abdixhikut nga udhëheqja e partisë.

Por jo vetëm kaq.

Pakënaqësitë që kanë disa nga fytyrat e rëndësishme të LDK-së pikërisht me Abdixhikun, mënyrën e rrjedhës së rezultateve të zgjedhjeve e gjithçka tjetër tashmë dolën në pah.

Ndër të parët që shprehën pakënaqësi ishin edhe Arben Gashi, Driton Selmanaj, Rrezarta Krasniqi e cila në fakt paraqiti rastin edhe në Prokurori kundrejt dyshimeve që pati për bashkëpartiakun Xhafer Tahiri. Këta të fundit e pëlqyen e u pajtuan edhe me deklarimin e Avdullah Hotit.

E dje një deklaratë tejet të hapur në lidhje me këto pakënaqësi e pati ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Hoti që është edhe deputet në kuadër të LDK-së, tha se përpos rezultatit të dobët në zgjedhje, një shqetësim tjetër është paraqitur edhe me votat e diasporës.

Ai tha se është e domosdoshme që në LDK-të këtë reflektim  dhe rikonstrukturim të partisë.

Duke  shkuar edhe më larg, Hoti e tha hapur se “Prandaj, për të kthyer besimin e anëtarësisë dhe elektoratit të gjerë, LDK-ja ka nevojë për lidership të ri. Nuk ka rrugë tjetër për rikthimin e besimit në LDK”.

E kësaj deklarate i dolën kundër disa nga emrat e afërt të Lumir Abdixhikut.

Kundër kësaj deklarate ishte, Lutfi Haziri, i cili tha se LDK-ja nuk i takon funksionarëve por anëtarësisë dhe se anëtarësie e saj ka vendosur më 19 nëntor 2023 për një mandat të ri të lidershipit.

Kurse Paris Guri tha se Lumri Abdixhiku është “lider i rikthimit”.

Por ishte pikërisht njëri nga emrat e vjetër të LDK-së, siç është Agim Veliu i cili qartazi shprehu pakënaqësitë me këtë situatë.

Agim Veliu ka deklaruar se “Të jesh i pafuqishëm ta ndryshosh gjendjen në shtëpinë politike, ku kryefamiljari (kryetari) të ka afruar formalisht “afër” vetes nuk është edhe shumë tragjike”.

“Është për keqardhje të të detyrojnë, apo të vetdetyrohesh për t’ia mbajtur ison shefit dhe, të dalësh publikisht e ta mbrosh “liderin” ,i cili po e dërgon në theqafje një familje të madhe politike, që për 35 vjet ishte shembull i demokracisë dhe meritokracisë’, shkroi ai në profilin e tij në Facebook.

E në lidhje me këtë situatën nuk kanë dashur të deklarohen më askush nga LDK-ja.

Madje të njëjtit ose kanë mbyllur telefonat, ose thjesht kanë deklaruar se nuk duan të flasin  dhe se kjo është çështje e demokracisë që i takon gjithsecilit në parti.

I kontaktuar nga lajmi.net ish-kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha qartë se nuk do të futet në “ujërat” e LDK-së.

Ai shkurt e shqip nuk dëshiron që të flasë në lidhje me mos-pajtimet që po ndodhin në LDK.

“Nuk dëshiroj të involvohem në këtë temë”, ka thënë Mustafa për lajmi.net.

Kurse ish-deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli foli për një ndarje që ka ndodhur në LDK-së sipas sa që në kohën e Fatmir Sejdiut.

“LDK- jeta jonë që nuk falet! LDK-ën njëherë e ndanë përgjysmë Fatmiri e Daci dhe atë gjysmë pastaj e ndanë prapë përgjysmë Vjosa e Lulmiri”, deklaroi ajo.

Abdixhiku pavarësisht kritikave të vazhdueshme është deklaruar se s’do të largohet nga drejtimi i LDK-së. Madje ai është shprehu i bindur se LDK-ja pati ngritje me ardhjen në udhëheqësi të tij.

Lidhja Demokratike e Kosovës më 9 dhjetor të vitit 2023 kishte bërë përzgjedhur kryesinë e re me këtë përbërje: Kryetar, Lumir Abdixhiku. Nënkryetarët:Anton Quni, Hykmete Bajrami, Doarsa Kica Xhelili, Gazmend Muhaxheri, Lutfi Haziri.

Sekretarët: Imri Ahmeti, Sekretar i Përgjithshëm, Sokol Haliti, Sekretar i Degëve Jashtë.

Kryetarët e Forumeve: Jehona Lushaku Sadriu, Forumi i Gruas; Paris Guri, Forumi Rinor.

Anëtarët e Kryesisë: Alban Zogaj, Alush Gashi, Arben Gashi, Ardian Shala, Armend Zemaj, Avdullah Hoti, Besian Mustafa, Besnik Osmani, Berat Rukiqi, Besa Gaxherri, Bexhet Xheladini, Doruntinë Maloku, Driton Selmanaj, Ekrem Hyseni, Ema Nikçi Rexha, Florian Dushi, Ilir Ferati, Izet Sadiku.

Kujtim Shala, Lirije Kajtazi, Mirjeta Kalludra, Muhamet Hamiti, Ruzhdi Shehu, Rrezarta Krasniqi, Sibel Halimi, Shkëmb Manaj, Visar Azemi, Visar Berisha, Vlora Dumoshi, Xhafer Gashi dhe Xhafer Tahiri.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë e ka miratuar të shtunën rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka siguruar 20 mandate në Kuvendin e Kosovës.

Në listën e deputetëve të zgjedhur nga LDK-ja kryeson Lumir Abdixhiku me 146,401 vota, pason Doarsa Kica-Xhelili me 63,164 vota dhe Kujtim Shala me 58,817 vota./Lajmi.net/