Qytete të tëra po zbrazen në veri-perëndim të Sirisë, thonë zyrtarë të OKB-së

Më shumë se 700.000 njerëz janë zhvendosur nga rajoni veri-perëndimor i Sirisë, që nga dhjetori, për shkak të një sulmi të vazhdueshëm të forcave qeveritare, thanë të enjten Kombet e Bashkuara.

Bota

13/02/2020 17:53

“Kjo zhvendosje e fundit përbën një situatë tashmë të rëndë humanitare në në Idlib”, tha për agjencinë DPA, David Swanson, një zëdhënës i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA).

Sipas zyrtarit të OKB-së “qytetet e tëra në rajonin e Idlibit, janë zbrazur pasi një numër në rritje i civilëve po ikin drejt zonave që konsiderohen më të sigurta”.

Rusia dhe Turqia ndërmjetësuan një armëpushim në rajonin e Idlib-it në janar, përcjell rel.

Por, dhuna shpërtheu sërish pasi forcat qeveritare të përkrahura nga Rusia dhe Irani kanë zgjeruar fushatën e tyre, për të fituar kontrollin e zonës së fundit që drejtohet nga rebelët në Siri.

Turqia, e cila mbështet rebelët anti-qeveritar, kërcënoi të “godasë kudo” nëse sulmohen trupat e saj.

Ankaraja thotë se 14 ushtarë u vranë në sulmet sirianë në Idlib gjatë dy javëve të fundit.