Qytetarët s’kanë arsye të zhgënjehen me shtetin e Kosovës

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se asnjë qytetarë s’duhet të zhgënjehet me shtetin e Kosovës. Ai thotë se Kosova ka zënë trenin e fundit për ndërtimin e shtetit. Për 17 Shkurtin 2008, thotë se ka pasur emocione të pa përshkruara.

Lajme

17/02/2014 15:10

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi duke folur për ditën e shpalljes së pavarësisë, ka thënë se më 17 Shkurt 2008, ka pasur emocione të papërshkrueshme, ku kulmi ka qenë kur është shpallur pavarësia.

Këto komente Kuçi i ka bërë në programin e mëngjesit në RTK, ku ka risjell për shikuesit momentet më të rëndësishme që shënuan shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

“Kanë qenë emocione të pa përshkruara, lirisht mund të them”.

“Koha në të cilën tash jemi, ka qenë pikërisht koha kur kemi bërë kërkesën për të bërë seancë të jashtëzakonshme sepse duhej të plotësohej ana formale”.

“Natyrisht, çdo hap do të ishte shumë me rëndësi, që gjërat të plotësohen ashtu siç duhet, të cilat reflektojnë edhe në kuptimin juridik edhe politik, edhe në kuptimin e qetësisë së qytetarëve të Republikës”.

“Ka pasur emocione të pa përshkruara, besoj, për të gjithë qytetarët, sepse e dimë që festa filloi edhe para shpalljes së pavarësisë”.

“Kulmi i emocionit ka qenë kur është shpallur pavarësia, por ka pasur edhe ditë të vazhduara me përcjellje të emocioneve, por edhe me frikën se nëse çdo gjë do të shkojë ashtu siç duhet”.

Kuçi ka thënë se më 17 shkurt 2008, çdo gjë ka shkuar mirë si në aspektin politik, atë të sigurisë.

Ai sot e sheh Kosovën si shtet të konsoliduar në kuptimin si shtet, si sovranitet dhe si tërësi territoriale.

“Natyrisht, ka shkuar ashtu si e kemi paramenduar, ka shkuar edhe më mirë, në kuptimin e planit të sigurisë dhe në kuptimin e zhvillimeve të tjera politike, të cilat sot Kosovën e kanë konsoliduar, edhe në kuptimin si shtet, si sovranitet dhe si tërësi territoriale por do të thosha edhe funksionale”.

“Ne kemi qenë jashtëzakonisht të kujdesshëm edhe në shtetndërtim. Kjo ka qenë edhe aspekti jonë kryesor, për një qeverisje më të mirë të vendit, për një siguri më të mirë të qytetarëve”.

“Kemi arsye të mirë që 6 vjet kemi bërë për këtë punë, dhe besoj se do të ndihen gjenerata të tëra mirë, me ne në atë kohë, dhe ne do të mundohemi ta përplotësojmë atë ditë me punën tonë që bëjmë për shtet”.

Hajredin Kuçi thotë se pavarësia nuk është vetëm emocion por është një jetë më e mirë dhe perspektivë për qytetarët. Ai thotë se qytetarët nuk kanë arsye që të ndjehen të zhgënjyer me shtetin e Kosovës.

“Pavarësia është e vërtetë se nuk ka qenë vetëm emocion, por pavarësia është një jetë më e mirë, është një siguri dhe një perspektivë për qytetarët”.

“Qytetarët nuk kanë arsye kurrë të zhgënjehen me shtetin e Kosovës. Kemi arsye që të gjithë ne të punojmë më shumë, të zhvillohemi më shumë, të bëjmë një jetë më të mirë”.

“Natyrisht që sfidat që do të jenë për zhvillimin ekonomik, për rend dhe ligj, për integrimet evropiane, për paqe me fqinjët dhe me të tjerët, nuk janë sfida që e përcjellin vetëm këtë 6 vjeçar, janë sfida që i përcjellin edhe shtetet të cilat janë qindra vjeçare, janë sfida që do të na përcjellin ne për vite të tëra”.

Nëse shikohet në retrospektivë, thotë Kuçi, në rrethanat që kanë qenë, Kosova ka zënë trenin e fundit për të ndërtuar shtetin.

“Nëse e shohim gjendjen në pikën zero, do të thotë para gjashtë vitesh, kur ne kemi filluar anën legjislative, që nga Kushtetuta dhe ligjet e tjera, bartjen e kompetencave, kemi ndërtuar një shtet shumë vonë, dhe tani në shekullin 21, natyrisht është shumë e vështirë duke marrë parasysh rrethanat, ndoshta kemi zënë trenin e fundit në ndërtimin e shtetit”.