Qytetarët nuk presin ndonjë ndryshim pas vizitës së Kerry-t

Tirana u blindua për tetë orë nga masat e larta të sigurisë. Kjo, për shkak të vizitës të Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry. 1550 efektivë policie dhe agjentë amerikanë ushtruan kontrollet e territorit dhe garantuan mbarëvajtjen e vizitës së zyrtarit të lartë. Vërejtja e qytetarëve, në Tiranë, ishte se nuk u bë një pritje shumë popullore, por protokollare.

Lajme

14/02/2016 17:37

Qytetarët kanë ndjekur nga afër takimet e Sekretarit Amerikan, derisa masat e sigurisë ishin të larta, përfshirë edhe mbylljen e biznese në Rrugën e Durrësit, raporton Ora news.

Vizita e Sekretarit Amerikan ka ngjallur interes tek qytetarët, që pavarësisht motit me shi qëndruan pranë përballë Kryeministrisë.

Qytetarët kanë thënë se ishin të interesuar për ta parë atë, por nuk presin ndonjë ndryshim edhe pas vizitës së sekretarit në Tiranë.

Por, sipas qytetarëve, vet ardhja e Kerry-t është një mesazh për Tiranën.

E vërejtja e qytetarëve ishte se nuk u bë një pritje shumë popullore, por protokollare.

1550 efektivë policie, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, Shërbimi Informativ Shtetëror, punonjës të Gardës, Agjensive të Inteligjencës dhe agjentë, ushtruan kontroll në territorin e vendit dhe garantuan mbarëvajtjen e vizitës së kryediplomatit amerikan.

Në orën 07:00 të mëngjesit, efektivët nisin bllokimin e akseve kryesore si rruga “Dritan Hoxha”, Rruga e Durrësit dhe bulevardin “ Dëshmorët e Kombit”. E trafiku u devijua në akse të tjera dytësore të Tiranës.

Snajperistët u vendosën në ndërtesat më të larta, po ashtu dhe në godinën e Kryeministrisë, ndërsa një helikopter i FA-së, patrulloi nga ajri.

Për arsye sigurie, policia e Tiranës urdhëroi mbylljen e biznesve në Rrugën e Durrësit.

Trafiku u normalizua pasi zyrtari i lartë amerikan la kryeqytetin shqiptar.