Qytetarët kundër gjuhës së ashpër në fushatë: Kurti po bërtet shumë
Qytetarët e Kosovës kanë shprehur shqetësimin për përdorimin e gjuhës së ashpër nëpër tubimet zgjedhore nga subjektet politike. Sipas tyre, kjo nuk duhet të bëhet nga njerëz të shkolluar e që mbajnë pozita në shtet. Ata thonë se partia në pushtet po përdorë gjuhë vulgare në takimet zgjedhore, ngase sipas tyre “po mendojnë t’i përfitojnë…
Lajme
Qytetarët e Kosovës kanë shprehur shqetësimin për përdorimin e gjuhës së ashpër nëpër tubimet zgjedhore nga subjektet politike. Sipas tyre, kjo nuk duhet të bëhet nga njerëz të shkolluar e që mbajnë pozita në shtet. Ata thonë se partia në pushtet po përdorë gjuhë vulgare në takimet zgjedhore, ngase sipas tyre “po mendojnë t’i përfitojnë votuesit më herët”.
E disa të tjerë u shprehën se shkak i përdorimit të disa fjalëve të caktuara duke iu referuar opozitës, pozita po i bënë ngase po frikësohet se nuk do ta arrijë 51 për qindëshin, siç po e përmendin.
Qytetari Hamdi Haliti e quajti shprehje banale fjalën “zuzarë” të përdorur nga kryeministri Albin Kurti në tubimin e mbajtur në Mitrovicë. Përveç kësaj, ai tha se nuk u beson premtimeve të partive politike gjatë fushatës.
“Fushata zgjedhore tash që ka filluar është më një gjuhë pak më të ashpër po më duket mua. Nuk e di për çfarë arsye, a po mundohen t’i përfitojnë tash votuesit, çdonjëri apo nuk e di. Asnjë parti nuk ka filluar mirë ashtu, e qetë. LDK-ja e ka një nismë më të mirë. Vetëvendosja pak kryeministri po mundohet pak t’i jep me forcë, t’i tërheqë votuesit…A po mendon se cilado parti që do të fitojë në këto zgjedhje do t’i përmbushë premtimet që po jepen në fushatë? Jo, se jemi mësuar qe 25 vite që tjetër premtojnë e shumë pak përmbushin. Kur po vije puna që po ulen në karrige, atëherë po harrojnë për paga e për pretime që i kanë thënë…Po më duket pak Albini do farë, nuk po i kuptoj ato termet e tij. Një farë fjalie që e përdori zuzakët apo zuzarët…Po bie pak si shprehje banale ajo farë fjalë. Përdori të gjitha mënyrat paqësore në mënyrë të thjeshtë dhe të butë dhe premtimet realizoj”, thotë Haliti.
Sherif Kabashi vlerëson se përdorimi i gjuhës së ashpër nga kryeministri po bëhet ‘sepse ndoshta po frikësohet”.
“Kohën e fundit Albini po bërtet pak më shumë, ndoshta po frikësohet, që nuk mund t’i bëjë 51 për qind. Partia e parë do të dal, por 51 për qind nuk do t’i bënë…Fushata mirë po shkon, mbarë. Fjalorin po e përdorin mirë të gjithë, por Kurti po bërtet pak më shumë, po iu thotë ‘dallavergjinjë’, po iu me fjalët më të vështira. Si t’i flet fjalët më të vështira, ose frikësohet për diçka ose mendon që do të fitojë 70 për qind siç ka thënë. Këtë vit jo. Sa për qind pret që ‘ti fitojë këtë vit? 35-37 se ka premtuar shumë e s’ka bërë asgjë. Në Veri mirë që ka bërë shumë, por këndej nuk ka bërë asgjë, as nuk ka ndërtuar autostradë. 60 çerdhe ka thënë në Prishtinë i ka ndërtu 4-5. Asfalt hiç, asgjë, vjedhje, kolegët e tij kanë vjedhur sa kanë mundur”, u shpreh Kabashi.
Edhe Sherif Vrajolli thotë se fushata ka filluar mirë dhe qetë, porse shprehet se po e pengon se kryeministri Kurti po merret me shprehje banale.
“Mirë po shkon fushata në përgjithësi, përveç këta fjalorin që e kanë pak si gjithë Vetëvendosja. E kanë një fjalor shumë të keq dhe nuk më pëlqejnë. Përndryshe, mirë është duke shkuar fushata…Më pengon se kryeministri nuk duhet të merret me disa gjëra banale, me disa fjalë që i flet, mua nuk më duken të mira ato…Pres ndryshim, besoj që do të jetë më mirë, një parlament që i ka hije…Fushata kështu fillon, më vonë pritet pak më tepër të ndizen”, thotë Vrajolli.
Musli Haxholli thotë se në vend të gjuhës së vrazhdë, partitë politike duhet t’i paraqesin planprogramet dhe t’i lënë votuesit të zgjedhin subjektin që duan ta shohin në parlament.
Sipas tij, fushata ka nisur qetë porse me afrimin e zgjedhjeve do të ndryshojë.
“Fushata ka filluar mirë për disa parti. Fushatë të mirë është duke bërë opozita, PDK-ja, LDK-ja, edhe Aleanca gjithashtu. Mirëpo, nuk po më pëlqen partia në pushtet çfarë fjalori po e përdorë kundër këtyre partive në opozitë. Kjo nuk ka qenë kurrë. Ajo duhet ta paraqes planprogramin e vet, secila parti. Në bazë të planprogramit qytetari vendos kujt t’ia japë votën. Vota është e fshehtë. Fjalë, gjuhë vullgare, nuk bënë t’i flasin ato fjalë njerëzit që janë të shkolluar. Njeri i shkolluar me fakultet ose magjistër ose ku ta di unë, ose deputet nuk guxon t’i flasë ato fjalë…Tubimet janë të qeta për momentin, por vjen duke u forcuar. Sa më afër zgjedhjeve, çdo parti e ka dëshirën e vet të fitojë”, potencon Haxholli.
Më 11 janar ka filluar zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit. Në garë janë 28 subjekte politike dhe 1280 kandidatë për deputetët të cerfikuar nga KQZ-ja.
Subjektet politike çdo ditë po mbajnë tubimet zgjedhore nëpër qytetet të ndryshme të Kosovës.