Qytetarët: Ikja nga Kosova nuk është zgjidhje

Qytetarët e Kosovës, tash e një kohë, në masë të madhe po vazhdojnë të migrojnë në vende të ndryshme të Evropës. Për këtë çështje qytetarët kanë mendime të ndryshme, disa thonë se situata ekonomike dhe papunësia po i “motivon” ata që ta braktisin Kosovën, por ka të tjerë që mendojnë se papunësia nuk është arsye pse ata po ikin jashtë vendit.

Lajme

09/01/2015 17:06

Por, shumica e tyre mendojnë që ikja nga Kosova nuk është zgjidhja e duhur dhe se kjo, sipas tyre është në dëm të Kosovës. 

Për Mahmut Hysën kjo gjë është fatkeqësi kombëtare dhe fajet i ka vet shteti që nuk bënë më shumë për ta.

Hajriz Bytyqi, mendon se e gjithë kjo po ndodh për shkak se rinia nuk ka shpresë më në këtë vend dhe se për këtë kanë faj institucionet.

Dem Demaj, mendon se papunësia është arsye kryesore pse populli i Kosovës po migrojnë jashtë vendit. Ai madje mendon se është vet faji i Qeverisë që nuk po bën asgjë për të ndalur këtë gjë, por përkundrazi ata po i larojnë vetë ata.

Edhe Qazim Aliaj mendon se edhe pse kjo gjë është shumë e keqe për Kosovën, faji për këtë është i udhëheqësve.

Për dallim nga këta, ka të tjerë që mendojnë se kushtet ekonomike nuk është arsye kryesore pse duhet të migrojnë jashtë vendit.

Sejdi Ahmeti thotë se ata që po shpenzojnë për të ikur, me ato para mund të hapin biznes të veta për të punuar këtu në Kosovë.

Ai po ashtu thotë se din shumë raste kur shumë qytetarë kanë tentuar të ikin por nuk kanë mundur për shkak se i kanë kthyer.

Bejtush Raqi, edhe pse mendon se për këtë i ka fajet shteti dhe se një gjë e tillë është pasqyrë shumë e keqe për udhëheqësin tonë, megjithatë ai mendon që në Kosovë gjendja ekonomike nuk është edhe shumë e keqe për shkak se çdo ditë kafiteritë janë të mbushura me të rinj dhe të reja.

E Neriman Braha, thotë se mungesa e punës në vend i bën ata të migrojnë, por që sipas tij ata që kanë toka dhe mund t’i punojnë ato nuk duhet të shkojnë dhe t’i braktisin ato.

Ai po ashtu thotë se mungesa e punës në vend është një problem jashtëzakonisht i madh dhe se as kjo Qeveri dhe as Qeveritë e tjera nuk do të kenë një formulë magjike për ta zgjidhur këtë çështje.

Sipas të dhënave zyrtare, numri i qytetarëve të Kosovës, të cilët jetojnë në vende të ndryshme të botës është mbi 700 mijë.

Shtetet ku më së shumti kanë emigruar qytetarët nga Kosova, janë Gjermania me 35.25 për qind, e pasuar nga Zvicra me 22.94 për qind. (Kosovapress)