Qytetarët i dalin në mbrojtje personit që vrau ‘hajnin’ në Veternik

Mbrëmë, në lagjen Veternik të Prishtinës ka ndodhur një vrasje.

Lajme

28/11/2018 17:19

Katër hajdutë  kishin hyrë për të vjedhur në shtëpinë e R.B (emër i njohur për redaksinë) i cili gjatë shkëmbimit të zjarrit me të njëjtit la të vdekur njërin prej tyre, shkruan lajmi.net.

Dyshohet se edhe njëri nga të katër personat që ishin të përfshirë në rast, e i cili mbeti i vdekur kishte armë me vete.

Mirëpo, të dyshuarit për vrasje në rastin e mbrëmshëm, në mbrojtje i kanë dalur të gjithë qytetarët në rrjetet sociale.

Mediet kanë raportuar vazhdimisht për rastin e lajmet janë shpërndarë me të madhe në rrjetet sociale, ku njerëzit nëpërmjet komenteve i kanë dalë në mbrojtje pronarit të shtëpisë.

Ata kanë konsideruar se ky veprim është në vetëmbrojtje, e madje edhe organet e drejtësisë rastin po e konsiderojnë njëjtë me vetëfaktin që R.B nuk është arrestuar pas kryerjes së aktit.

Zëvendësprokurori Ibrahim Berisha për lajmi.net ka thënë se arma e cila është përdorur në këtë rast ishte me leje.

Ai poashtu, ka bërë të ditur se hajni që u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit, supozohet se posedonte armë.

Njëri nga komentuesit madje ka thënë se “nëse dënohet dorasi atëherë të gjithë duhet ta mbrojmë”, e një tjetër thotë se “kush të kërcënon pragun e derës, vetëm plumb duhet me i dhanë”.

Këto komente ata i kanë bërë në mbrojtje të personit R.B.

Një tjetër komentues është shprehur se “në të ardhmen të gjithë duhet të veprojnë njësoj”, e madje disa të tjerë shprehen se shteti duhet ta shpërblejë e dekorojë personin që vrau hajnin.

E në mbrojtje të personit që dyshohet se vrau hajnin, ka dalur edhe avokati Besnik Berisha, ai nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se R.B nuk duhet të arrestohet fare, ai duhet të dërgohet në shtëpi e madje të ruhet nga policia. /Lajmi.net/