Qytetarët: Fjalimi i Ramës përmirëson pozicionin e shqiptarëve në Ballkan

Qytetarët e vlerësojnë në mënyra të ndryshme vizitën e kryeministrit shqiptar Edia Rama në Beograd. Disa thonë se deklaratat e tij për Kosovën janë të duhura dhe të guximshme, ndërsa një pjesë tjetër thotë se Rama nuk është dashur ta vizitoj Serbinë në këtë kohë.

Lajme

10/11/2014 18:42

Deklarata e kryeministrit Rama për Kosovën në Serbi, për Shefqet Islamin ka qenë e befasishme për gjithë kombin.

“Deklarata ka qenë shumë, shumë, shumë në nivel, shumë bukur ka qenë dhe e ka befasuar gjithë kombin shqiptarë. Ka bërë një fjalim të zakonshëm”, tha Islami.

Ndërkaq,  Nexhmedin Fejziu, ka thënë se kjo deklaratë e kryeministrit Rama i ka pëlqyer shumë por që ka qenë në nivel të detyrës së tij.

“Po e kam parë dhe ka qenë në nivel të detyrës si kryeministër, ashtu siç është dashur edhe ka verpruar. Mua shumë më ka pëlqyer, po mendoj ka qenë në nivel”, tha Fejziu.

Por, ka edhe të tillë që thonë se nuk është dashur që Rama të shkoj në Beograd, por megjithatë fjalimi i tij ka qenë i duhur.

“Nuk ka vy të shkojë hiç, se me serb na nuk kem punë. Ani boll mirë paska fol, qata e paska fol mirë. Një herë ka shkuar, më mos le te shkon hiç kurrë”, tha Krasniqi.

Ndërsa, Ardian Zogaj, mendon se ajo çfarë ka thënë kryeministri shqiptarë është e mirë, por që nevojitet më shumë punë dhe jo vetëm fjalë.

“Ajo është e mirë për neve por të punojë më shumë, nuk është puna vetëm të shkojë dhe të flet në Serbi se ato janë veç fjalë. Ajo është një çështje politike, nuk mundemi me marr vesh pse ka shkuar ai atje, ndoshta është e mirë për neve por neve nuk po na vyn veç fjalë”, tha Zogaj.

Këtë deklaratë si të duhur e ka cilësuar edhe Shuhab Krasniqi, por ai gjithashtu mendon se një fjalim i tillë nuk ka aspak progres.

“Unë vetëm një deklaratë të Edi Ramës e dëgjova që ka fol për Kosovën, ajo është shumë mirë sa i përket neve e kemi ndjerë veten krenarë, pse Edi Rama i ka folur ato fjalë atje. Por nëse e shikojmë në aspektin kritik, nuk e mendoj se ka mundur të bëjë ndonjë far progresi me atë punë. Sepse këto punë është më mirë të shkruhen dhe të  merret ndonjë vendim Bashkimi Evropian dhe qeto organizatat ndërkombëtare se sa me mbet vetëm prej neve çka po folim, se tek fundi i fundi nuk po na dëgjon askush, kjo ndodhi edhe me rastin e lojës”, tha Krasniqi.

Por një gjë të tillë nuk e mendon edhe, Halil Berisha, i cili thotë se pa dyshim se është një përparim dhe guxim shumë i madh të thuhen ato fjalë në mes të Beogradit.

“Gjithsesi se është sukses shumë i madh, edhe thënia e tij që sa më shpejt Serbia ta kuptoj realitetin për Kosovën ajo është mirë d.m.th edhe për krejt Ballkanin, edhe për Shqipërinë edhe për Serbinë. Ajo nuk mungon, por thënja midis Beogradit fjalët e tilla unë mendoj se është një përparim shumë i madh, edhe është një guxim shumë i madh. Që sigurisht e përmirëson pozicionin e shqiptarëve në Ballkan… ma merr mendja.. tu e llogaritë që Shqipëria është shteti Amë, është bazë e zhvillimit të Kosovës”, tha Berisha.

Kurse, Sezai Sylejmani, thotë se do të ketë progres pasi që ky takim është aranzhuar nga ndërkombëtarët.

“Në dukje është realiste, mundet mu dukë edhe e guximshme kështu, si mysafir në një kryeqendër, ishalla nuk është vetëm për politikë. Edhe deklarata e tij dhe e homologut të tij ka pak populizëm ndoshta… këtë takim të tjerët e kanë aranzhuar për progres, ndonjë far progresi duhet me qenë edhe pse na në momentin e parë nuk kemi me i ditë ato sene, diçka duhet me pas sepse është aranzhuar prej të tjerëve”, tha Sylejmani për Kosovapress.

Gjatë vizitës së tij në Beograd, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Kosova është shtet i pavarur dhe se ky është një fakt i pandryshueshëm dhe se Serbia duhet pranuar këtë gjë, raporton KosovaPress.