Qytetarët duan ushtri, e jo Forcë të Armatosur

Deputeti nga Lëvizja vetëvendosje, Rexhep Selimi, tha se qytetarët e Kosovës duan të kenë Ushtri, e jo Forcë të Armatosur. Sipas tij, emërtimi “Ushtria e Kosovës” nuk i pengon askujt tjetër përveç Serbisë.

Lajme

19/02/2014 18:13

Nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Sigurinë dhe FSK’në, Rexhep Selimi, deklaroi se qytetarët e Kosovës e kërkojnë ushtrinë, jo Forcë të Armatosur të Kosovës që e paralajmëroi kryeministri Thaçi.

“Një gjë është e sigurt që qytetarët po e kërkojnë ushtri të Kosovës. Dhe kur jemi te kjo çështje unë jam i pakomromis. Nuk do të duhej të kërkojë emër tjetër. Nuk ka kujt t’i pengojë ushtria si term përveç Serbisë. Pse mos të kemi ushtri?”, tha deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje.

Duke komentuar emërtimin e ri në emisionin Info Magazine të Klan Kosovës, Selimi tha se komisioni parlamentar nuk është njoftuar fare me iniciativën e re të ekzekutivit.

“Unë e kam parë në medie emërtimin e ri. Edhe sot kemi qenë në Ministrinë e FSK’së ku na ka pritur ministri Agim Çeku. Atje kërkuam detaje për iniciativën e re, por asgjë nuk na u dha”, vlerësoi Selimi.

Deputeti tha se qeveria ka ndryshuar fjalët që i kishte premtuar më herët.

“Kur ne kërkonim emrin ushtri, ata na thonin se po mendojmë për misionin jo për emrin. Tashti kur ne po kërkojmë të dimë se çfarë është misioni, ata po na japin emër”, tha Selimi.