Quni e quan spekulim mediatik kandidaturën e tij në Prizren
Deputeti i LDK-së, Anton Quni është përmendur si kandidat i mundshëm për kreun e Degës së LDK-së në Prizren. Por, ai e ka mohuar kandidimin e tij, duke thënë se “e tëra është një spekulim mediatik”.

Lajme
Quni është parë si kandidat i “kompromisit” politik në Degën e LDK-së në Prizren, pas përplasjeve të shumta që kanë ndodhur dhe po vazhdojnë të ndodhin, tash e sa vjet prejse në krye të kësaj gjendej Eqrem Kryeziu, shkruan gazeta me orientim pro LDK, Botapress.
Ky i fundit, përveç se humbi zgjedhjet lokale dhe humbi edhe garën si kandidat për deputet, dha dorëheqje nga të gjitha funksionet e LDK-së në Prizren, por nuk i shëroi të gjitha “plagët” e shkaktuara në këtë degë.
Dega e LDK-së në Prizren, e gjendur në një situatë të tillë mbeti nën “mëshirën” e spekulimeve jo vetëm mediale, por edhe të fraksioneve brenda kësaj partie në Prizren.
Në një situatë të tillë u përmend edhe emri i Anton Qunit, si kandidat koncensual.
Por, Quni ka thënë se përmendja e emrit të tij është spekulim mediatik dhe se ai nuk synon kreun e Degës së LDK-së në Prizren.
“Janë spekulime mediale”, ka thënë Anton Quni për Botapress.