Qosja: Rama tha atë që shqiptarët prisnin e dëshironin

Akademiku Rexhep Qosja e ka vlerësuar si historik jo vetëm vizitën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Beograd, por dhe fjalimin që mbajti ai.

Lajme

11/11/2014 23:44

Në një intervistë dhënë për “A1 Report”, Qosja tha se Rama në Beograd tha atë që prisnin shqiptarët se ai do ta thoshte.

Qosja thotë se me vizitën e Ramës dëshmohet se Shqipëria është e përkushtuar për çështjen e Kosovës, për integrimet evropiane si dhe përkushtimin ndaj politikës së SHBA-së, shtet me të cilin edhe Shqipëria dhe Kosova kanë marrëdhënie të mira.

 “Të them në fillim se vizita e Kryeministrit Edi Rama në Beograd ka rëndësi shtetërore, për Shqipërinë dhe Kosovën. Ishte një vizitë me një rëndësi historike për arsye se është takimi parë mes liderëve shqiptarë dhe ato të Serbisë, pas afro 70 vjetësh. Kjo vizitë ka rëndësi se i tregon, dëshmon, përkushtimet e shtetit shqiptar, e para ndaj çështjes së Kosovës, e dyta ndaj integrimeve evropiane, e treta ndaj politikës së SHBA-së me të cilat sot Shqipëria dhe Kosova kanë marrëdhëniet me të mira në histori”.

“Në Kosovë kjo vizitë e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd është pritur me interesim të jashtëzakonshëm, në radhë të parë për shkak të asaj që është dëshiruar, është pritur, është supozuar, dhe mbi të gjitha ta thotë kryeministri shqiptar Edi Rama, dhe ai e tha atë që është pritur dhe dëshiruar në Kosovë. Të gjithë faktorët ndërkombëtarë, i thanë Serbisë ta njohë Kosovën. Është një çështje e kryer, Kosova është një shtet i pavarur, dhe Serbia si fqinj, që është dhe do të jetë gjithmonë aty, ashtu siç do jetë aty ku është edhe Kosova do të duhej ta njohë sepse nuk mund ta çojë Kosovën në Australi siç nuk mundet Kosova ta çojë Serbinë në Zelandë të Re. Do të jenë fqinj gjithmonë”.

“Edi Rama e tha këtë që dëshirohet aq shumë në Kosovë, atë që e thonë edhe faktorët ndërkombëtarë, njiheni Kosovën sa më parë, për të mirën e Kosovës, për të mirën e Shqipërisë, për të mirën e vetë Serbisë. Dhe Edi Rama e tha këtë në mënyrën më të mençur, më të argumentuar, më politike dhe më intelektuale. Por nuk gjeti përgjigjen përkatëse, përgjigjen politike, shtetërore të denjë”, ka thënë Qosja për A1 Report.