Qosja: Përçarjet në PDK, faji i dyanshëm

Akademik Rexhep Qosja thotë se shkaku për përçarjen në PDK është i dyanshëm: i kryetarit të PDK'së, Hashim Thaçit dhe i Fatmir Limajt e Jakup Krasniqit. Pas kësaj përçarje Qosja thotë se PDK-ja do të pësojë jo pak, e më pak do të fitojnë Limaj e Krasniqi.

Lajme

19/02/2014 08:45

Akademik Rexhep Qosja thotë se i vjen keq për përçarjen që ka ndodhur në Partinë Demokratike të Kosovës.

Për këtë përçarje ai i bënë përgjegjës të dy palët: Hashim Thaçin si Kryetar të partisë në njërën anë dhe Fatmir Limajn e Jakup Krasniqin si në anën tjetër.

“Më vjen shumë keq pse ka ndodhur kjo ndarje, madje, përçarje në PDK. Shkaku për këtë përçarje është i dyanshëm: i kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçit, i cili po e drejton partinë pa demokracinë sot të pashmangshme në partitë moderne dhe duke kultivuar kultin e individit dhe e dyta, i Fatmirit dhe i Jakupit, që mendojnë, si Hashimi, se gjithmonë duhet të jenë të parët a të dytët në pushtet thuajse nuk ka të tjerë të aftë e të merituar për ato pozita”, ka thënë Qosja për “Epoka e Re”.

Pas kësaj ndarje, sipas Qosjes, humbja do të reflektohet në të dy anët.

“Besoj se pas kësaj ndarjeje PDK-ja do të pësojë jo pak, kurse partia e Jakupit dhe Fatmirit do të fitojë edhe më pak!”.

Në këtë intervistë Qosja ka folur edhe për kandidimin e liderit të LDK-së, Isa Mustafa, për kryeministër. Ai ka thënë se propozimin e Kryesisë së LDK-së, që Mustafa të jetë kandidat për kryeministër, e sheh si fyerje dhe nënçmim të rëndë të mendjes dhe të ndjenjave të shqiptarëve të Kosovës.

Akademik Rexhep Qosja e ka vlerësuar qeverisjen në Shqipëri të drejtuar nga Edi Rama. Sipas tij, qeveria e sotme e Shqipërisë, në krye me Edi Ramën, e ka filluar një proces, në të vërtetë një reformë, me rëndësi historike jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën.

“E ka filluar procesin e nxjerrjes së Shqipërisë prej një gjendjeje anarkike, në thelbin e saj primitive, e për ta sjellë në një gjendje normale, emancipuese dhe të emancipuar”.

“Ky është proces që, po s’u ndal prej ndonjë dhune fatale, do ta sjellë demokracinë e vërtetë dhe evropianizmin e vërtetë të shtetit shqiptar dhe të shoqërisë shqiptare – me politikën, me arsimin, me kulturën, me shëndetësinë, me ekonominë, me marrëdhëniet njerëzore të saj”.

“Qeveria e sotme e Shqipërisë në krye me Edi Ramën e ka filluar edhe një proces me rëndësi të përtashme dhe historike për Shqipërinë dhe për Kosovën: e ka filluar procesin e integrimeve shqiptare, të integrimeve në radhë të parë arsimore, shkencore, kulturore, ekonomike, bujqësore, tregtare, teknologjike e të tjera”.

Në këtë intervistë Qosja ka folur edhe për situatën e fundit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ai e vlerëson të nevojshëm formimin e një këshilli a komisioni, i cili do të merret me çështjen e diplomave të shkollave të mesme të disa pedagogëve universitarë, me dokumentet e magjistraturave e të doktoratave dhe me mënyrat e zgjedhjes e të përparimit në grada shkencore e pedagogjike të pedagogëve të Universitetit, mandej edhe të universiteteve private dhe, pse jo, edhe të instituteve shkencore, por edhe me mësimdhënien dhe punët e tjera të pedagogëve në Universitet.