Qindra studentë mbesin pa bursa pasi Ministria e Arsimit ndryshoi kriteret

Një numër i madh i studentëve kanë mbetur pa bursa pas një vendimi të ministrisë së arsimit drejtuar nga Arbërie Nagavci.

Lajme

19/08/2021 23:23

Kjo pasi Ministria e Arsimit ka ndryshuar kriteret e fituesve të bursës për mbështetje financiare për studentet e pranuar në universitete të ndryshme jashtë vendit.

Në dokumentin e thirrjes nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, e shpallur me 09.06.2021, thuhej se  thirrja synon të mbështesë shkollimin e studentëve të dalluar, të cilët pranohen në universitete të ndryshme në botë, në fushat specifike të studimit si bachelor, master dhe doktoratë.

E ku kriteret e kërkuara për aplikim sipas dokumentit të MASHTI-i, kanë qenë që “kandidatët të paraqesin dëshmi se janë pranuar për të vijuar studime në nivelin përkatës të studimit, kandidatët duhet të kenë dëshmitë e suksesit të shkëlqyer nota mesatare, dëshmitë e punës akademike, puna në interes të komunitetit në nivelin e edukimit paraprak në një nga institucionet publike në Kosovë”.

Përveç këtyre ceket se në këtë formë të subvencionimit merret në konsideratë gjendja financiare e aplikuesëve dhe përmenden fushat me prioritet e të cilat nuk tregohen se cilat janë, shkruan Gazeta Infokus.

Duke u bazuar në këtë thirrje publike të shpallur më 9 qershor kanë aplikuar gjithsej 531 studentë ndërkaq, komisioni vlerësues ka përzgjedhur vetëm 16 prej tyre të cilët pritet të mbështeten me nga 6 mijë e 500 euro.

E të martën me shpalljen e rezultateve, janë shpallur edhe kriteret e tjera të cilat sipas MASHTI-it, quhet kriteri kryesor. Por këto kritere nuk përputhen me thirrjen dhe dokumentin për procesin e aplikimit.

Kështu pas 69 ditëve pritjeje, studentët përveç se kuptojnë se kush i ka marrë këto bursa i kuptojnë edhe kriteret tjera të cilat nuk ishin në kohën e shpalljes së thirrjes.

“Kriteri kryesor që është marrë për bazë për këtë mbështetje financiare është renditja e universiteteve ku përfituesit janë pranuar sipas listimit të top 150 universiteteve më të mira në botë në “Times Higher Education”. Përparësi u është dhënë kandidatëve të nivelit të doktoratës, pasuar nga niveli master dhe atyre që kanë fituar ndonjë lloj të bursës meritore nga universiteti përkatës”, thuhet në postimin e MASHTI-it.

Pas këtij ndryshimi të krijuar nga ministria e drejtuar nga Arbërie Nagavci kanë ardhur reagime të shumta.

Studentët jo fitues të bursës kanë reaguar duke thënë se kriteret nuk përkojnë nga fillimi i thirrjes e deri tek shpallja e fituesve.

Kërkesë e tyre është shpallja e listës së atyre të papranuar për shkak se thonë që do të dalë se komisioni vlerësues ka bërë shkelje.

Gjithashtu ata kërkojnë që të dalin listat me emra dhe pikët e tyre, dhe arsyet për ndryshimin e kritereve të aplikimit për bursa.

Robert Pajaziti, i cili është njëri nga studentët të cilët nuk ka përfituar bursë tha për Gazetën Infokus se është shokuar kur ka parë se kriteret për përfitimin e bursës kanë ndryshuar, dhe se nuk ka marr asnjë email nga MASHTI ku i tregohet arsyeja e mos përzgjedhjes.

“Me shpalljen e rezultateve, unë si aplikues jam shokuar kur e kam parë se kriteret për përfitimin e bursës kanë ndryshuar krejtësisht, dhe se kriteret e reja nuk përmenden askund ne thirrjen e MASHTI-it. Për më shumë nuk kam pranuar asnjë email nga MASHTI ku tregohen arsyet se pse nuk jam përzgjedhur për këtë bursë”, tha Pajaziti.

Ai shtoi se si student ka të drejtë që të dijë kriteret e aplikimit para se të mbyllet afati, dhe jo të ndryshohen me shpalljen e rezultateve.

“Unë si student kam të drejtë të di para se të aplikoj  kriteret mbi të cilat do të vlerësohet aplikimi im, dhe këto kritere asnjëherë nuk është dashur dhe nuk duhet të ndërrohen pas mbylljes së aplikimit, dhe të mos njoftohen aplikantët me kohë. Që i bie që domosdoshmërisht studentët duhen të njoftohen për kriteret para mbylljes së aplikimit, dhe kriteret nuk duhet të ndryshojnë me shpalljen e rezultateve ose gjatë procesit të përzgjedhjes”, tha ai.

Edhe Fatlind Azizi që drejton Organizatën Studentore “Paqja Studentore” dhe njëkohësisht është nënkryetar në Parlamentin Studentor, tha për Gazetën Infokus se janë të pajtimit me nismën për të ndihmuar studentët, por që nga ky konkurs janë të shqetësuar me mos paraqitjen e rezultateve të studentëve.

“Ne pajtohemi në parim me nismën për të ndihmuar studentët e shkëlqyer që studiojnë në top universitetet botërore, por jemi të shqetësuar me faktin se në këtë konkurs, nuk janë paraqitur rezultatet e përfituesve me pikë nga MASHTI. Shumë studentë janë ankuar për mos transparencën e duhur në publikimin e kritereve nga konkursi si dhe në mënyrën se si janë zgjedhur studentët përfitues”, tha Azizi.

Ai shtoi se janë të gatshëm edhe të iu ndihmojnë institucioneve në lidhje me këto konkurse por që duhet të jenë në transparencë më të gjithë studentët.

“Ne do të mbështesim çfarëdo lloj nisme të cilit do institucion që ka për qëllim t’i lehtësojë barrën e shumave të mëdha studentëve që studiojnë në top universitetet botërore, por konkurset duhet të përpilohen dhe publikohen me anë të transparencës, llogaridhënies dhe kritereve të drejtësisë”, shtoi ai.

E në fund Azizi tha se ekziston një dallim shumë i madh mes atyre që kanë fituar bursë një herë dhe atyre qe nuk kanë fituar asnjë.

“Në mesin e tyre ka të tillë që kanë pranuar disa bursa të ndryshme, ndërkaq disa nga studentët e papranuar në këtë konkurs, nuk e kanë asnjë të tillë. Pra, ekziston një hendek në mes të atyre që kanë fituar disa bursa dhe të atyre që nuk e kanë fituar asnjë, pavarësisht se të gjithë janë studentë të shkëlqyeshëm”, tha kryetari i Organizatës Studentore “Paqja Studentore”, Fatlind Azizi.