Qindra profesorë të UP-së, “të mësuar keq”, refuzojnë kontratat e reja të punës

Rreth 500 profesorë të Universitetit të Prishtinës refuzojnë të nënshkruajnë kontratat e reja, sipas vendimit më të fundit të Rektoratit, nëpërmjet të cilit profesorët e rregullt të cilët janë të zgjedhur ose të emëruar në institucione tjera, do të kenë statusin e profesorëve të angazhuar.

Lajme

15/01/2015 08:04

Po ashtu ata paguhen vetëm për orët që mbajnë dhe nuk u njihet e drejta e gjysmënormës, shkruan sot Koha Ditore.

Burime të gazetës bëjnë të ditur se profesorët nuk i janë përgjigjur ende ftesës së Rektoratit të UP-së që të nënshkruajnë kontratat e reja, bazuar në këtë vendim.

Ndërsa, numri i madh i atyre që po refuzojnë këto kontrata janë profesorët e Fakultetit të Mjekësisë, të cilët njëkohësisht punojnë edhe si mjekë në Qendrën Klinike Universitare, pagën e së cilës deri tashmë e kanë pranuar si gjysmënormë, e jo të plotë.

Pastaj, janë ata të Fakultetit Juridik që janë zgjedhur ose emëruar në institucione të tjera pos UP-së, por ka profesorë edhe nga të gjitha fakultetet tjera.

E nëse profesorët nuk nënshkruajnë këto kontrata, atëherë vihet në pikëpyetje vazhdimi i akreditimit të programeve, meqë kuadri profesional është kusht thelbësor për akreditim.

Gazeta Koha Ditore ka siguruar dëshmi se një numër i madh i profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë janë ankuar në Inspektoratin e Punës rreth këtij vendimi.

Kurse katër profesorë të tjerë që mbajnë poste të larta publike në institucionet e vendit, Enver Hasani, kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Arsim Bajrami, ministër i Arsimit, Haki Demolli, ministër i Forcës së Sigurisë dhe Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë i janë drejtuar të mërkurën Këshillit Drejtues të UP-së me një shkresë, që ka si lëndë ankesën kundër vendimit të rekorit të Universitetit për ndryshimin e statusit dhe pozitës së profesorëve të rregullt të UP-së.

Në këtë letër thuhet se ata po e drejtojnë këtë ankesë meqë deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje për ankesën e parë të bërë më datën 1 dhjetor kundër vendimit të rektorit të UP-së, Ramadan Zejnullahu “përmes të cilit synohet ndryshimi rrënjësor i statusit dhe i pozitës sonë si profesor të rregullt të UP-së”, thuhet në letër, shkruan sot Koha Ditore.