Qeverinë ta formojnë PDK-LDK-AAK

Veprimtari Adem Demaçi ka thënë të mërkurën se liderët e partive politike tashmë duhet t’i lënë inatet e tyre personale dhe të mendojnë seriozisht për vendin.

Lajme

05/11/2014 15:31

Demaçi në një bisedë me inlajm ka thënë se do të ishte ideale një qeveri me PDK-në, LDK-në dhe AAK-në. Kjo për arsye se, siç tha ai, do të krijonte një qeveri me institucione të forta dhe me shumicë parlamentare.

“Unë flas si  është e drejta unë haptas kam thënë se edhe krahun e luftës e kritikoj kur gabojnë, unë e shikoj situatën në bazë të interesit të Kombit, shteti duhet të ketë një parlament të fortë dhe me institucione, të forta, kështu që unë qysh prej fillimit kam thënë  që dy partitë e mëdha të bashkohen, sigurisht me  disa kompromise dhe të bashkohen deputetët dhe eventualisht nëse don edhe Ramushi të i bashkoj 9 deputetët, dhe në këtë mënyrë shumica është e sigurt”, ka thënë Demaçi.

Veprimtari Demaçi ka propozuar edhe ndarjen e posteve, sipas të cilit, postin e kryeministrit ta ketë sërish lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, Isa Mustafa të jetë në krye të Kuvendit të Kosovës, derisa thotë që Ramush Haradinaj do të meritonte një post të rëndësishëm ushtarak, meqë sipas tij, është një hero i madh i kombit.

“Kryeministri le të jetë ky që ka qenë deri tash. Isa Mustafa le ta merr postin që e ka kërkuar si kryeparlamentar, ndërsa Ramushin do ta emëroja në një post ushtarak dhe nuk do e lija jashtë qeverisë, meqë ai ka dhënë shumë për kombin” ka propozuar Demaçi.

Ai e ka arsyetuar propozimin e tij duke thënë po ashtu se pavarësisht deklaratave të ndërkombëtarëve, se nuk përzihen në çështjet e brendshme të Kosovës, një koalicion i tillë do të ishte i pranueshëm për ta.

“Një parlament si ky mund të marrë vendime qysh po pret Evropa. E di qe këta nuk e kanë lehtë se kanë fol shumë keq për njëri-tjetrin, por kjo nuk është me rëndësi sepse kjo është politika. Kriter është të i shërbesh vendit”i.

Demaçi po ashtu ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk do të ishin të mirëpritura për vendin.

Ai ka vlerësuar se procesi i mundshëm  zgjedhor do të shkaktonte vetëm harxhime të buxhetit të Kosovës dhe do të vononte krijimin e institucioneve, derisa sipas tij, Blloku VLAN do të dilte i humbur në këto zgjedhje.

“Në qoftë se shkohet në zgjedhje, Blloku kalon keq, se këta nuk mund të zgjedhin të shkojnë të bashkuar për shkak të listës së përbashkët”, ka thënë Demaçi. /inlajm/