Qeveria voton që paga minimale të bëhet 250 euro

Në mbledhjen e Qeverisë së mërkurës, kabineti ministror ka votuar për Projektligjin për Rritjen e Pagës Minimale, si dhe zvogëlimit e tatimit në pagë.

Lajme

13/04/2022 10:43

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij përgjatë mbledhjes ka thënë se nga ky vendim përfitojnë rreth 300 mijë punëtorë teksa nga heqja e shkallës tatimore përfitojnë, siç tha ai, mbarë punëtorët, shkruan lajmi.net.

“Për të përmbushur një premtim tjetër i cili është pjesë kyçe e programit qeverisës, sjellim projektligjin që do t’i hapë rrugë minimale 250 euro dhe heqjen e tatimit. Nga rritja e pagës minimale do të fitojnë rreth 300 mijë punëtorë, kurse për heqjen e shkallës tatimore do të përfitojnë të gjithë punëtorët”, ka deklaruar Kurti.

Në anën tjetër, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka sqaruar më tej projektligjin, duke thënë se kush i merr deri në 2 mijë euro të ardhura vjetore nuk tatimohet fare në pagë.

“Pra, projektligji në fjalë ka për qëllim të plotësojë ligjet për pagën minimale, të ndryshojë shkallën tatimore dhe procedurën e vendosjes së pagës minimale. Paga minimale është instrument i tregut të punës andaj duhet t’i shërbejë vetëm këtij funksioni. Prandaj, përmes këtij ligji synohen të eliminohen mëdyshjet rreth pagës minimale në nivel kombëtar. Tatimi në të ardhura personale vjetore deri në 2 mijë euro nuk do të tatimohet. Normalisht se ky është vetëm fillimi, kjo shumë do duhej të rishikohej në periudha të rregullta në mënyrë që të reflektojë edhe rritjen ekonomike”, ka bërë të ditur ai në mbledhjen e Qeverisë. /Lajmi.net/