Qeveria ua vonon shtesat personelit shëndetësor të Infektivës

Kanë mbetur vetëm edhe 11 ditë për ta përmbushur një vit të punës mantelbardhët e klinikës infektive, në luftën me pandeminë.

Lajme

02/03/2021 20:58

Megjithatë personeli i rregullt shëndetësorë i kësaj klinike u harrua të hënën nga dikasteret përkatëse, të cilëve nuk iu ekzekutua shtesa mujore për rrezikshmërinë e punës në këtë kohë virusi.

Këtë për televizionin e kanë konfirmuar disa infermierë dhe mjekë të infektives, teksa kanë treguar që këto pagesa iu janë bërë punonjëseve të klinikave tjera e bile edhe spitaleve rajonale.

Se këto pagesa nuk janë bërë për stafin e infektives e thotë edhe përfaqësuesi i sindikatës së Qendrës Spitalore, Xhemajl Selmani, derisa fton kolegët e tij që të mos demotivohen.

Sindikalisti Selmani pohon se vonesa të këtyre pagesave ka pasur edhe në të kaluarën.

Megjithatë Ministria e Shëndetësisë mohon një gjë të tillë.

“Sipas informacioneve nga Departamenti i Administratës dhe Buxhetit të MSh-së, stafi shëndetësor është paguar me rregull përfshirë edhe shtesat e ndara nga Qeveria.
Ndërsa, MSh është në komunikim të rregullt me Ministrinë e Financave për të kryer të gjitha pagesat edhe për stafin e sigurimit dhe atë mbështetës,” deklaruan nga Zyra për Informim të MSH-së.

Mirëpo, jo zyrtarisht Klan Kosova mëson se një gjë e tillë ka ndodhur për shkak të ndonjë gabimi të mundshëm teknik.