Qeveria tregon se çka do diskutohet nesër në Bruksel në takimin e nivelit teknik me Serbinë
Zyra e Kryeministrit Hoti ka dhënë detaje për takimin e nesërm në nivel ekspertësh mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Lajme
Me anë të një komunikate për media, Zyra e Kryeministrit ka thënë se takimi po mbahet me ftesë të emisarit Special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, shkruan lajmi.net.
“Me ftesë të Emisarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, delegacioni i Kosovës, i prirë nga Koordinatori Shtetëror Skender Hyseni, ka udhëtuar sot për në Bruksel, ku nesër pritet të zhvillohet takimi i radhës me delegacionin nga Serbia”, ka thënë ai.
Qeveria në lidhje me këtë takim ka dhënë detaje se edhe çka do të diskutohet.
“Temë e diskutimit do të jetë zgjidhja e pretendimeve financiare dhe e çështjeve të pronës midis dy vendeve”, thuhet në komunikatën e qeverisë.
Qeveria në fund thotë se me ndërmjetësimin e emisarit Lajçak, në takimin e nesërm, delegacionet do të vazhdojnë diskutimin e filluar në takimin e kaluar rreth kësaj çështjeje. /Lajmi.net/