Qeveria synon ta “shes” ndërmarrjen e shitur tek investitorët gjermanë
Zyrtarët e ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), kanë futur minierën e “Goleshit” në listë të projekteve për prezantim tek investitorët e mundshëm në një panair në Gjermani, që do të mbahet në nëntor të këtij viti.

Lajme
Kjo minierë është shitur më 2007 nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në 2007 dhe lënda tani është në gjykatë për shakë të një vendimi të AKP-së për tërheqjen e aksioneve dy ditë para se të fillojë punën Miniera me qindra punëtorë të punësuar dhe një vit para se të skadojë afati i vendosur nga AKP.
Kreshnik Thaçi, zyrtarë në MTI, në një deklaratë për media ka thënë se në mesin e pesëmbëdhjetë projekteve që do të prezantohen në panairin në Gjermani në nëntor të këtij viti është edhe miniera e MIM Goleshit.
Kjo deklaratë ka irrituar blerësin e minierës, Hysni Zogaj, i cili tha se nuk do të lejoj në asnjë mënyrë që ndonjë investitorë gjermanë apo çfarë do që të jetë, të blejë pronën e tij.
“Më shqetësoj shumë një aktvendim i fundit i agjencisë për Promovimin e Investimeve në Gjermani, ku mu bë e ditur se vendimet nuk merren në gjykatën e Dhomës së Veçantë, por merren në politikat ditore në tryezat e njerëzve të pandershëm dhe në këtë moment jam shumë i shqetësuar se po e shoh që në Kosovë nuk ka më drejtësi”, tha Zogaj.
Ai po ashtu paralajmëron zyrtarët e qeverisë se për këtë rast do të marrë të gjitha masat e mundshme, që të mos lejoj dështimin e investimit që ai dhe familja e tij kanë bërë në Kosovë, që nga ardhja e tyre nga Kroacia.
“Në Kosovë më duket që përsëri do të vije ligji i Lekë Dukagjinit, përderisa gjykatat nuk po funksionojnë. Ato funksionojnë në mënyrën më te keqe të korruptuar të mundur, d.m.th që nuk ka mbetur gjë tjetër pos të mbrojmë pasurin tonë me trupin tonë. Megjithëse kryemi nistrin e Kosovës e mbrojti policia e Kosovës, ne polici nuk kemi, se ne nuk jemi kryeministër, por ne jemi investitor, atëherë nuk na ka mbet gjë tjetër pos te mbrojmë pasurin me trupin tonë”, tha Zogaj,.
Ai po ashtu ka paralajmëruar se do t’i njoftoj të gjitha ambasadat e huaja në Kosovë për rastin e Goleshit.
Ndërkohë, Kreshnik Thaçi, nga MTI, tha se janë në dijeni për rastin e MIM Goleshit dhe se sipas tyre do të respektohen vendimet. Pa cekur se për cilat vendime është fjala. Pasi që për rastin e Goleshit ka vendime por që ende nuk kanë një verdikt përfundimtarë të gjykatës.
“Po, jemi në dijeni për çështjet që i keni ngritur dhe MTI-ja do të veprojë në përputhje me vendimet institucionale”, tha Thaçi për KosovaPress përmes postës elektronike. Ndërsa sa i përket projekteve me të cilat Kosova do të prezantohet në panairin në Gjermani, thonë se nuk kanë ende listë përfundimtare.
Me lejoni të ju njoftoj lidhur me projektet për të cilat keni kërkuar informata nga KIESA. Ne jemi në proces të përgatitjes së tyre dhe në ketë drejtim jemi duke bashkëpunuar me komunat”, tha MTI për KosovaPress, në kërkesën e dërguar për qasje në listën e projekteve që do të prezantohen nga Kosova në këtë panair.
“KosovaPress”, është munduar të kontaktoj për këtë çështje edhe me ministren Hykmete Bajrami, pasi ajo do të duhej të ishte më e mirë informuar për çështjet e privatizimit ngase këshilltarë kryesor ka Ilir Salihun i cili me vite ka punuar në shtyllën e katërt të UNMIK-ut ku edhe ka qenë mbikëqyrës i bordit të AKM-së. Por ishte e pamundur të marrim përgjigje.
Ndryshe, në fundin e vitit 2007, Hysni Zogaj, pronar i kompanisë “Iming” kishte blerë nga ish- Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) tani AKP, Minierën e magnezit në Golesh për të investuar 16 milionë euro. Përkundër afatit të vënë nga AKP-ja për realizimin e kushteve deri në shtator të këtij viti (2015 ), AKP-ja ka ndërhyrë në nëntor të vitit të kaluar, dy ditë para se z. Zogaj të fillon punën në Minierë, duke e vendosë përsëri nën menaxhimin e AKP-së. Rasti është në Gjykatën e Kosovës. Ndaj këtij rasti ka reaguar Komuna e Lipjanit, Aleanca Kosovare e Biznesit, biznesmen dhe ish-anëtar të bordit të AKP-së, duke e vlerësuar si shumë të dëmshëm dhe dëmtim të bizneseve si dhe një shembull shumë të keq për investitorët e huaj.