Qeveria s’ka qëndrim rreth Speciales
Pavarësisht se janë bërë thuajse tri javë prejse ka pranuar iniciativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, Qeveria e Kosovës ende nuk ka dalë me një opinion rreth hapave të mëtutjeshëm
Lajme
Gjersa ekzekutivit i ka mbetur vetëm edhe një javë kohë për t’u deklaruar apo jo rreth kësaj çështjeje, krerët institucionalë (presidenti, kryeministri, kryekuvendari) tashmë janë tërhequr (deklarativisht) nga kjo nismë. Pos tyre, edhe deputetët nga partitë në pushtet, të cilët kanë nënshkruar nismën për zhbërjen e Gjykatës Speciale më nuk janë këmbëngulës në shfuqizimin e saj.
Këtë tërheqje e ka mirëpritur bashkësia ndërkombëtare, ndërkaq përfaqësuesit e opozitës kanë konsideruar se liderët e shtetit i kanë tradhtuar deputetët e tyre. Pavarësisht kësaj, një nismë të tillë për shfuqizim ata e kanë cilësuar si skandalin më të madh të kohëve të fundit, shkruan sot Gazeta ‘Zëri’.
Në anën tjetër, monitoruesit e punës së Kuvendit thonë se Qeveria mund edhe të mos deklarohet fare lidhur me çështjen e nismës për shfuqizim. Pavarësisht kësaj, ashtu si ata kanë bërë të ditur iniciativa duhet të shkojë në Kryesi e pastaj të procedohet për votim në Kuvend, në mënyrë që atje ta marrë epilogun e saj.