Qeveria s’ka para të paguajë pensione për 46 mijë veteranë

Kryeministri Isa Mustafa deklaroi se buxheti i shtetit rrezikohet nëse vendoset të paguhen pensionet për rreth 46 mijë veteranë të luftës së UCK-së.

Lajme

07/06/2016 19:00

Ai deklaroi se tash për tash nuk ka asnjë mundësi buxhetore që kjo të ndodhë. Për më tepër edhe vetë Fondi Monetar Ndërkombëtar ka deklaruar se rrezikohet marrëveshja ‘Stand By’ me Qeverinë e Kosovës nëse vendoset që të paguhen këto pensione.

Nga ana tjetër, Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UCK-së deklaron se përgjegjës për këtë situatë është vetë Qeveria, transmeton lajmi.net.

Qeriqi e pranoi se numri i veteranëve është i fryrë e madje sipas tij, gati për dyfish më shumë.

Ai tha se si Këshill, kanë kërkuar nga Prokuroria e Shtetit t’i hetojë këto raste të aplikimeve.

“Numri i veteranëve është  rreth 46  mijë. Qeveria është dashur të kërkojë raport gjatë verifikimit, çdo gjashtë muaj”, tha Qeriqi, transmeton lajmi.net.

“Kjo nuk ka ndodhë dhe tash kemi këtë numër të madh dhe lirisht mund të themi se është dyfishi”.

Qeriqi tha se bazuar në bisedat që ka pasur me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, numri i veteranëve ka mundur të jetë rreth 20 mijë.

Ai tha se e di që me siguri  rrezikohet buxheti i Qeverisë, por qeveria është përgjegjëse, bazuar në ligj, që të kryejë obligimet për veteranët që janë vërtetë veteranë./lajmi.net