Qeveria porosit UP-në, mos kini frikë nga kriza financiare

Ministri në detyrë i Financave, Besim Beqaj, dhe ai i Arsimit, Ramë Buja, janë takuar të mërkurën me ushtruesin e detyrës së rektorit të UP-së, Anton Berishaj, të cilit i kanë dhënë garanci se nuk do të lejohet kriza financiare në këtë universitet më të madhin publik në vend. 

Lajme

06/08/2014 21:55

Pas shkrimeve të fundit në disa media se Universiteti Publik “Hasan Prishtina” do të përfshihet nga kriza financiare, pas vendimit të Qeverisë për uljen e tarifave për regjistrimin e studentëve, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ministria e Financave, njoftojnë opinion publik, e në veçanti studentët, profesorët dhe të gjithë stafin e UP-së se nuk do të ketë probleme financiare dhe në asnjë mënyre nuk do të cenohen pagat e profesorëve universitarë dhe shpenzimet kapitale të planifikuara në buxhetin e Republikës së Kosovës, ka njoftuar MASHT.

Sipas kësaj komunikate, ministri i Financave, Besim Beqaj është takuar me zyrtarë të MASHT-it, dhe me Anton Berishajn, ushtrues detyre i rektorit të UP-së, për të diskutuar  lidhur me gjendjen materiale të këtij universiteti.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për uljen e tarifave për regjistrim të studentëve për 50 për qind, si dhe për të gjithë ata që do të regjistrohen ketë vit, ku regjistrimi do të ju mundësohet falas, është vendim i mirëpritur nga të gjithë studentët. Dëshirojmë të theksojmë se ky vendim nuk do të ndikojë aspak në funksionalitetin e Universitetit të Prishtinës, pasi që Qeveria e Kosovës do të ndërmerr të gjitha masat e nevojshme konform kapaciteteve buxhetore”, thuhet në njoftim, teksa garantohet se MASHT do të jetë në koordinim të plotë me Ministrinë e Financave dhe Rektoratin e UP-së për të menaxhuar situatën, e cila do të ndikojë pozitivisht në mirëqenien e studentëve dhe familjeve të tyre.