Qeveria opozitës: Hiqni dorë nga veprimet anarkike dhe të dhunshme

Qeveria e Kosovës ka reaguar lidhur me situatën e mbrëmshme në Prishtinë, ku aktivistët e Vetëvendosjes protestuan pasi policia ndaloi Albin Kurtin.

Lajme

13/10/2015 11:49

Qeveria shpreh shqetësim dhe keqardhje për dhunën që grupe militantësh të partive opozitare kanë ushtruar një natë më parë mbi Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kushtetuese, duke lënduar rëndë disa zyrtarë policorë, duke shkaktuar dëme në objekte publike e private dhe duke krijuar shqetësim te qytetarët”, thuhet në njoftim.

Ekzekutivi thotë se aktet e dhunshme të kryera nga protestuesit, cenojnë rendin dhe ligjin, duke dënuar kështu çdo sulm kundër institucioneve të sundimit të ligjit.

“Aktet e skajshme vandale që u manifestuan gjatë protestës së dhunshme të thirrur dhe të drejtuar nga udhëheqja e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe të përkrahur nga partitë tjera opozitare, cenon rendin dhe ligjin, punën e organeve të pavarura shtetërore si dhe interesat madhore të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër sulmet kundër institucioneve të sundimit të ligjit dhe garantimit të rendit dhe sigurisë, të mandatuara që aktivitetin e fushëveprimit të tyre ta ushtrojnë të lira nga ndërhyrjet dhe dhuna”.

Qeveria e Kosovës i bën thirrje partive opozitare “që të heqin dorë nga veprimet anarkike dhe nga përdorimi i dhunës mbi institucionet e shtetit, me qëllim që të dalin mbi ligjin dhe që të realizojnë agjendat e tyre politike ditore, duke vepruar në kundërshtim me interesat e qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës”, thuhet në fund të njoftimit./lajmi.net