Qeveria nis procedurat për themelimin e Fondit për punësim dhe zhvillim

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi ka zhvilluar mbledhjen e radhës, ku është përzgjedhur komisionit ndërqeveritar i cili do të kryej analizat përkatëse për themelimin e Fondit për punësim dhe zhvillim.

Lajme

23/05/2014 14:32

Komisioni do ketë këtë përbërje: Përfaqësues nga Ministria e Financave, kryesues; dy përfaqësues nga Ministria e Financave, anëtarë; një përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës; një përfaqësues nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës; një përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë e Republikës së Kosovës; një përfaqësues nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale; një përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë; një përfaqësues nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik; dhe një përfaqësues nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë;

Komisioni Qeveritar mund të ftoj edhe përfaqësues tjerë nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe nga sektori i Biznesit të cilit mund t’i kontribuojnë zhvillimit të fondit.

Në mbledhje është aprovuar edhe Projekt Strategjia për Rregullim më të Mirë 2014 – 2020.

Kjo strategji synon uljen e kostove përmes reformave të suksesshme rregullative, e cila realizohen përmes rregullimit më të mirë, thjeshtimin e rregullave ekzistuese, dhe ndërtimin e institucioneve.

Strategjia për rregullim më të mirë dhe futja e metodologjisë së vlerësimit të ndikimit rregullativ janë të lidhura ngushtë me prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës të dhëna në Vizionin Ekonomik të Kosovës 2011-2014.

Plani i Veprimit të Vizionit Ekonomik të Kosovës thekson prioritetet në sektorët kryesorë të zhvillimit ekonomik dhe synon përveç tjerash, përmirësimin e procesit të hartimit të legjislacionit dhe rregullativës, rritjen e mundësive për ofrimin e të dhënave për publikun dhe analizimin e ndikimit të Qeverisë në këto procese.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe plotësim ndryshimin e vendimit që ka të bëjnë me ndryshimin e politikave tatimore me qëllim të lehtësimin e tatimeve për investimet e reja në Kosovë.

Kështu për investitorët që investojnë 2 deri në 5 milionë euro, dhe punësojnë mbi 50 punëtorë, lirohen nga tatimi për periudhën 5 vjeçare. Ndërsa investimet deri në 2 milionë, që punësojnë mbi 30 veta, do të lirohen nga tatimi për periudhën 3 vjeçare.

Me qëllim të mbështetjes së punës së Komisionit Qendror Zgjedhor, në angazhimet për realizimin e suksesshëm të zgjedhjeve të 8 qershorit, Qeveria ka ndarë 350 000 (treqind e pesëdhjetë mijë) euro.

Po ashtu, kryeministri Hashim Thaçi, në këtë mbledhje, ka kërkuar  nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal që të përgatis gjithë dokumentacionin e nevojshëm për themelimin e komunave të reja në: Kijevë, Komoran, Hogosht dhe në Rugovë të Pejës.