Qeveria ndalon ndërtimin e ‘Luginës së Diellit’ në Zveçan

Qeveria e Republikës së Kosovës i konsideron të papranueshme përpjekjet e qarqeve të caktuara, që në kundërshtim me aktet ligjore dhe procedurale, të iniciohet ndërtimi i projektit të ashtuquajtur “Lugina e Diellit” në veri të Kosovës.

Lajme

10/06/2016 16:40

Qeveria e Kosovës , nëpërmjet një deklarate për media, deklaron se është informuar nga ministrat përkatës për këto veprime të kundërligjshme.

Ekzekutivi ka  ngarkuar Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor si dhe Ministrinë e Kthimit dhe të Komuniteteve, në bashkëpunim edhe me Komunën e Zveçanit, që të ndërmarrin masat e duhura për ndërprerjen e veprimeve të tilla dhe të përmbushen të gjitha kushtet ligjore.

“Qeveria e Kosovës, po ashtu, e konsideron të papranueshëm implikimin e Qeverisë së Serbisë që duke nxitur komuna të caktuara të Republikës së Kosovës të ndërmarrë veprime të paligjshme dhe në dëm të relacioneve ndërmjet qytetarëve të Kosovës”, deklaron Qeveria e Kosovës.

Qeveria më tej thekson se do të angazhohet që të krijojë kushte normale për të gjithë qytetarët e saj si dhe kthimin e tyre në shtëpitë dhe vendbanimet e tyre pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.

“Ky proces, do të jetë i mundshëm dhe i qëndrueshëm vetëm duke respektuar ligjet të cilat ofrojnë siguri dhe stabilitet afatgjatë për çdo qytetarë dhe në linjë me proceset eurointegruese”, deklaron Qeveria e Kosovës./lajmi.net