Qeveria miraton fond kompensimi për familjarët e ushtarakëve të rënë në Letoni

Qeveria ka miratuar një fond shtesë për kompensimin e familjeve të ushtarakëve të rënë në Letoni.

Lajme

12/06/2019 19:56

Qeveria miratoi fondin prej  (dhjetë milionë) lekësh, për kompensimin e veçantë të familjeve të ushtarakëve nëntetar Zarife Muharrem Hasanaj dhe major Klodian Nikolla Tanushi, të cilët humbën jetën gjatë kryerjes së detyrës, në mision ushtarak, jashtë vendit.

Vendimi

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2019, MIRATUAR PËR MINISTRINË E MBROJTJES, PËR KOMPENSIMIN E VEÇANTË TË FAMILJEVE TË USHTARAKËVE TË RËNË NË KRYE TË DETYRËS, GJATË PËRMBUSHJES SË MISIONIT USHTARAK, JASHTË VENDIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të pikës 2, të nenit 28, të ligjit nr.9210, datë 23.3.2004, “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.99/2018 “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ministrisë së Mbrojtjes, në buxhetin e miratuar për vitin 2019, i shtohet fondi prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh, për kompensimin e veçantë të familjeve të ushtarakëve nëntetar Zarife Muharrem Hasanaj dhe major Klodian Nikolla Tanushi, të cilët humbën jetën gjatë kryerjes së detyrës, në mision ushtarak, jashtë vendit.

2. Fondi i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, për vitin 2019.

3. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”. /Tch