Qeveria kolumbiane prish armëpushimin me Farc-un

Ka pasur një armëpushim mes qeverisë kolumbiane dhe Farc-ut, që prej muajit mars. Por, Qeveria kolumbiane ka vendosur që të pezullojë armëpushimin e saj ajror kundër rebelëve, pas vrasjes të së paku 10 ushtarëve.

Bota

15/04/2015 23:07

Ushtarët u vranë gjatë një përleshje me rebelët e Farc-ut, të cilët janë një grup gueril i krahut të majtë, raporton BBC, transmeton lajmi.net.

Qeveria kolumbiane kishte deklaruar një ndalesë të përkohshme të sulmeve ajrore ndaj rebelëve të Farc-ut që prej muajit mars. Por, sulmi i së mërkurës në një garnizon ushtarak në krahinën perëndimore të Cauca, bëri që armëpushimi të prishej.

Qeveria kolumbiane dhe rebelët e Farc-ut kanë zhvilluar bisedime të paqes që prej vitit 2012. Këto bisedime janë zhvilluar në Havana të Kubës.

“Unë kam urdhëruar që forcat e armatosura të heqin pezullimin e sulmeve ajrore ndaj pozicioneve të Farc-ut deri në një njoftim tjetër”, ka thënë të mërkurën presidenti i Kolumbisë, Juan Manuel Santos.

Qeveria kolumbiane njofton se gjatë sulmit të sotëm, përveç 10 ushtarëve të vrarë, janë plagosur edhe 17 të tjerë, katër prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.

Ndërkaq, analistët e përshkruajnë këtë ngjarje si “shkelje më e madhe” e armëpushimit.

Farc është grupi më i madh i rebelëve në Kolumbi, i cili u formua në vitin 1964 me qëllim të instalimit të një regjimi marksist.

Akoma është e paqartë nëse sulmi i fundit do të ndikojë në bisedimet e paqes që po zhvillohen në Havana, kurse disa analistë mendojnë se këto sulme janë dëshmia më e mirë se “Farc-ut nuk i besohet”.

Pjesëtarë të Farc-ut në Kolumbi

Në Kolumbi gjithashtu veprojnë edhe disa grupe të tjera guerile, të cilat vazhdojnë të jenë në luftë me Qeverinë.

Prej këtyre luftimeve vlerësohet se rreth 220 mijë njerëz kanë vdekur vetëm në pesë dekadat e konfliktit.

Farc është e listuar si një organizatë terroriste në SHBA dhe në Evropë. (lajmi.net)