Qeveria: Me kauzë të rrejshme, Opozita po i privon qytetarët nga liberalizimi i vizave

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi, ka reaguar ndaj qëndrimeve të Opozitës për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. Abrashi ka deklaruar se partitë opozitare me kauzë të rrejshme po privojnë qytetarët nga lëvizja e lirë në Bashkimin Evropian.

Lajme

11/07/2016 17:27

Sipas ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, përfaqësuesit e opozitës në pamundësi që të takohen me zyrtarët e lartë ndërkombëtarë për shkak të veprimeve të tyre, ata po tentojnë të manipulojnë me opinionin publik.

“Ata u përpoqën të manipulojnë me qëndrimin afirmativ të Presidentit Obama për demarkacionin të shtatorit 2015 si dhe synuan ta keqinterpretojnë deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit të dhjetorit 2015 e cila thotë qartë se kufijtë e përshkruar në vitin 2008 përputhen në hollësi me kufirin e propozuar në vitin 2015”, ka shkruar Abrashi.

Zëdhënësi i Qeverisë më tej ka cituar edhe një deklaratë të Ndihmës Sekretares së Shtetit amerikan, Victoria Nuland, e cila ka shprehur mbështetjen e fuqishme për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Abrashi ka thënë se Qeveria ka qenë gjithmonë e hapur për dialog me Opozitën për t’i shqyrtuar argumentet rreth këtij kontesti.

“Tashmë është e qartë se për këtë opozitë më i rëndësishëm ka qenë privimi i qytetarëve të Kosovës nga lëvizja e lirë në Evropë në emër të një kauze të rrejshme sesa zgjidhja e problemeve dhe integrimi i vendit në BE”, është shprehur Abrashi.

“Pra, mos e gënjeni veten dhe qytetarët, SHBA-të e mbështesin marrëveshjen e demarkacionit dhe që ajo të kryhet gjatë kësaj vere. Pikë!”, ka shtuar ai.

Reagimi i plotë i Abrashit:

Në pamundësi që të takohen me zyrtarë ndërkombëtarë për shkak të veprimeve të tyre kundër-institucionale, përfaqësuesit e opozitës po tentojnë të manipulojnë me opinionin publik.

Ata u përpoqën të manipulojnë me qëndrimin afirmativ të Presidentit Obama për demarkacionin të shtatorit 2015 si dhe synuan ta keqinterpretojnë deklaratën e

Departamentit Amerikan të Shtetit të dhjetorit 2015 e cila thotë qartë se kufijtë e përshkruar në vitin 2008 përputhen në hollësi me kufirin e propozuar në vitin 2015.

Sikur mos t’iu mjaftonin këto deklarata “ekspertëve” opozitarë, dje, Ndihmës Sekretarja e Shtetit, Nuland e qartësoi përfundimisht për të gjithë se debati rreth demarkacionit është artificial dhe i sajuar! “Ne jemi mbështetës të fuqishëm të marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi sepse kjo është çështje e sovranitetit për Kosovën. Vendeve sovrane u duhen kufij stabil dhe të sigurt. Është diçka që duhet ta bëni për të ardhmen tuaj. Sinqerisht, nga këndvështrimi ynë, i tërë ky debat rreth kësaj çështjeje është relativisht artificial. Është problem i sajuar dhe sinqerisht, ne dëshirojmë ta shohim Kosovën duke pasur mundësi për integrim më të thellë në Evropë”.

Qeveria e Kosovës ka qenë vazhdimisht e hapur për dialog me opozitën dhe e gatshme për të shqyrtuar argumentet e opozitës rreth demarkacionit. Tashmë është e qartë se për këtë opozitë më i rëndësishëm ka qenë privimi i qytetarëve të Kosovës nga lëvizja e lirë në Evropë në emër të një kauze të rrejshme sesa zgjidhja e problemeve dhe integrimi i vendit në BE.

Pra, mos e gënjeni veten dhe qytetarët, SHBA-të e mbështesin marrëveshjen e demarkacionit dhe që ajo të kryhet gjatë kësaj vere. Pikë!