Qeveria ia mohon mbështetjen financiare nga komuna, reagon Ballkani

Sport

18/06/2022 16:18

Klubi i Suharekës, Ballkani kanë reaguar pasi qeveria ia mohoi mbështetjen financiare nga komuna.

Ditë më parë komuna e Suharekës i kishte premtuar mbështetje financiare prej 80 mijë eurosh për klubin, pasi ata do të marrin pjesë në garat evropiane.

Megjithatë vendimi nuk është aprovuar dhe qeveria ka bllokuar ato mjetet financiare.

Pas bllokimit nga qeveria ka reaguar edhe vetë klubi me anë të një komunikate zyrtare.

Më poshtë lajmi.net jua përcjell reagimin e plotë të Ballkanit:

“REAGIM

I nderuar Kryetar z. Bali Muharremaj,Të nderuar asambleist të Komunës sonë faleminderit për mbështetjen finaciare, për të përkrahur klubin tonë në rrugen Europiane,

Me keqardhje ju njoftojmë se Qeveria e Kosovës ka vendosur të na bllokoj mjetet financiare të cilat komuna jonë i ka ndarë në procedurë të rregullt.

Jemi thëllësisht të shqetësuar që në këtë kohë kur ne si klub duhet të përfaqësojmë jo vetëm FC Ballkanin por edhe shtetin e Kosovës në garën me prestigjioze të futbollit Europian në ligën e kampionëve të UEFA-së, qeveria e shtetit tonë shikon vetem me ane negative avancimin e rinise sonë .

Nëse shteti ose qeveria në fjalë nuk mund të na ndihmoj, të paktën mos të na pengoj në rrugëtimin tonë i cili është bërë me shumë sakrifica biznesore dhe familijare duke punuar dhe investuar në sport, ku shumë familje në klubin e FC Ballkanit marrin paga duke mbajtur familjet e tyre, në këtë formë të neglizhimit po largohen investitoret edhe sportistët tanë nga vendlindja e tyre.

Sidoqoftë, ne si klub dhe komunitet i gjërë sportiv asnjëherë nuk do të dorëzohemi pasi që kemi pasur sfida edhe më të mëdha në jetë .

Andaj, të dashur tifoz dhe qytetar tanë, asnjë teke ose tentim i indvidit apo grupit të individëve nuk mund të na ndalë nga misioni ynë i shenjtë i të bërit FC Ballkani dhe Kosovën vend me të cilin do të krenohemi edhe më tutje.!

Krenar me Suharekën tonë”/Lajmi.net/