Qeveria ia lë Komunës të merret me ngrohjen e Prishtinës

Institucionet qendrore ia kanë lënë Komunës së Prishtinës përgjegjësinë për përfundimin e procesit të koogjenerimit të Termokosit, pasi që për një gjë të tillë nuk i ka bindur kompania kontraktuese.

Lajme

06/11/2014 20:36

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli ka thënë se kompania ka mundur këto punë t’i kryejë gjatë gushtit dhe shtatorit të këtij viti, raporton KTV.

Nga ana tjetër, Komuna e Prishtinës po vazhdon të shpresojë se do të kryhen punimet për 12 ditë. Gjasat mbesin që punimet të nisin nga e premtja.

Këshilli ndërministror për projektin e koogjenerimit të Termokosit ka marrë vendim që 2.5 milionë euro të qeverisë t’i ndajë për mbulimin e kostos nga mosfurnizimi me energji prej bllokut 1 të Termocentralit Kosova B.

Megjithëse kompania kontraktuese nuk kishte arritur t’i bindte se do të mund t’i kryente punët për 12 ditë, përgjegjësia i është lënë Komunës së Prishtinës.

Ismajli ka thënë se kontraktuesi ka pasur informata për kohën e ndaljes së bllokut që nga viti i kaluar, por nuk ka marrë asnjë veprim për realizim të këtyre punimeve.

Nga ana tjetër, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka shpresa që furnizimi me ngrohje i kryeqytetit të nisë nga ky vit, por nuk ka përjashtuar mundësinë që vazhdimi i punimeve të mbetet për vitin që vjen.

Në ndërkohë, në Termokos punëtorë të kompanisë kontraktuese po vazhdojnë punët, ndërsa drejtues të saj nuk kanë dhënë asnjë detaj për këtë projekt.

Sipas planit të aprovuar, kompania do të duhet të nisë punimet nga e premtja (nesër) dhe t’i kryejë ato brenda 12 ditëve.

Për këtë kohë duhet të ndalë prodhimin e rrymës elektrike Blloku 1 i Kosovës B, ndërsa qeveria dhe komuna kanë ndarë 4.6 milionë euro për të kompensuar importin e energjisë dhe shpenzimet tjera për realizimin e këtij projekti.