Qeveria Hoti miraton programin qeverisës

Qeveria Hoti e ka miratuar sot programin qeverisës të saj.

Lajme

05/06/2020 13:05

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, në shpalosjen e programit qeverisës, tha se prioritete kryesore do të jenë lufta kundër pandemisë së koronavirusit si dhe rimëkëmbja ekonomike.

Në lidhje me këtë, Hoti tha se janë të parapara të ndahen 1.2 miliardë euro.

Kryeministri po ashtu përmendi edhe planet afatgjata dhe afatshkurta për rimëkëmbjen ekonomike, ku përfshihen edhe ndihmat për ekonomitë familjare dhe bizneset e vogla dhe ato të mëdha.

Programi qeverisës, siç tha Hoti parasheh edhe luftën e pakompromis kundër korrupsionit dhe dukurive negative në institucione.

Ndër prioritetet kryesore, siç u përmend nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj – Stublla është edhe njohja universale e pavarësisë së Kosovës.

Ndërkaq, zv/kryeministri, Driton Selmanaj, tha se bashkë me partnerët amerikanë dhe evropianë duhet të adresojnë sfidat kryesore të kontrollit të brendshëm në sistemin e drejtësisë.

Ai shtoi se qeveria duhet të ketë masa konkrete, pa përjashtuar intervenimin në ligje dhe Kushtetutë.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisië, Armend Zemaj tha se është i pashmangshëm menaxhimi i protokolleve të OBSH-së.

Ai tha se IKSHP është duke monitoruar vazhdimisht gjendjen me pandeminë në Kosovë.

Zemaj shtoi se hapja graduale do të jetë edhe kontribut edhe insistim për të gjithë, duke respektuar rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Vlen të ceket se kjo ishte mbledhja e parë e rregullt e qeverisë së Kosovës, teksa dje e njëjta pati mbledhjen ceremoniale. /Lajmi.net/