Qeveria Gruevski ka përgjuar së paku 20,000 persona

Lideri i Lëvizjes Social-Demokrate në Maqedoni, Zoran Zaev ka thënë sot në Shkup se së paku 20 mijë persona janë përgjuar nga autoritetet në vitet e fundit.

Lajme

09/02/2015 16:20

Zaev, partia e të cilit është më e fuqishmja në opozitë, ka thënë se përgjimet kanë qenë masive dhe të paligjshme.

Sipas tij, ato janë “kryer nga një numër njerëzish të shërbimeve të sigurimit, nën urdhrat e kryeministrit Nikolla Greuvski dhe drejtorit të shërbimit për sigurinë shtetërore, Sasha Mijallkov”.

Në një takim me gazetarët, Zaev ka publikuar një audio-incizim, në të cilin dëgjohet gazetarja e Radios Evropa e Lirë në Shkup, Mirjana Spasovka duke kërkuar një deklaratë.

Në bisedimet e përgjuara, Zaev tha se nuk janë përfshirë njerëzit e afërt me Gruevskin apo Mijallkovin.

Publikimin e dëshmive kundër asaj që Zaev e quan “qeveri kriminale”, lideri i opozitës maqedonase e ka paralajmëruar ditë më parë.

Zaev është akuzuar nga autoritetet për maqedonase për “marrje të pushtetit me dhunë”.