Qeveria gjermane direkt në pikë: Serbia s’ka vendosur sanksione ndaj Rusisë sikur Kosova

Qeveria gjermane ka përmbledhur vizitën e kancelarit Olaf Scholz në vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa një prej kapitujve të kësaj kumtese i kushtohet edhe qasjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor karshi agresionit rus në Ukrainë.

Lajme

11/06/2022 21:52

Në këtë komunikatë, rikapitulohet në mënyrë edhe më direkte mesazhi që kancelari Scholz solli me vete në Ballkanin Perëndimor sa i përket qasjes së Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandër Vuçiq edhe karshi dialogut me Kosovën, por edhe karshi situatës në Ukrainë.

Komunikata citon fjalët e Scholz në Beograd se për shkak të luftës së tmerrshme dhe të pakuptimtë që u nxit nga një vizion imperialist i Rusisë “është kaq e rëndësishme që Bashkimi Europian dhe të gjithë të qëndrojnë në solidaritet me Ukrainën dhe ta ndihmojnë atë të mbrohet kundër këtij sulmi”.

Në komunikatë përmendet gjithashtu fakti që Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, duke thënë se pritjet e Gjermanisë ishin që sanksionen do të mbështeten nga të gjithë që janë kandidatë për anëtarësim në BE.

“Dhe deri më tani, vendi i Ballkanit Perëndimor nuk ka mbështetur sanksionet kundër Rusisë – ndryshe nga Kosova”, thuhet në komunikatë.

Në komunikatë gjithashtu citohen fjalët e Scholz tek thotë se Kosova ka treguar mbështetje për të gjitha sanksionet dhe se Kosova si partner i besueshëm është afër dhe në anën e bashkësisë evropiane dhe ndërkombëtare. /Lajmi.net/