Qeveria fajtore për pensionet e Zvicrës

Donika Kadaj-Bujupi, thotë se Qeveria ka treguar neglizhencë dhe nuk ka vullnet politik për të zgjidhur çështjen e pensioneve sociale të Zvicrës dhe se qe 4 vjet, kosovarët që kanë punuar në Zvicër nuk po mund ta përfitojnë këtë pension.

Lajme

01/02/2014 08:14

Deputetja nga Aleanca për Ardhëmrinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi thotë se fajin që personat kanë mbetur pa pensionin social nga Zvicra, është i Qeverisë së Kosovës, e cila sipas saj ka treguar neglizhencë ndaj kësaj çështje.

Në një intervistë dhë për “Epoka e Re” Kadaj-Bujupi thotë se ky problem mund të zgjidhet me një angazhim të mirëfilltë të Qeverisë.

“Qeveria e Zvicrës në muajin dhjetor të vitit 2009 ka vendosr që Marrëveshja për Sigurimet Sociale, e cila zbatohej për qytetarët e Kosovës, të shfuqizohet më 31 mars 2010. Moszbatimi i Marrëveshjes për Sigurimet Sociale ka rezultuar që shtetasit e Kosovës të mos jenë përfitues të kësaj marrëveshje”.

“Për këtë çështje personalisht kam kërkuar shpjegime nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rasic, në seancën e së enjtes, mirëpo në përgjigjen e ministrit vërehet niveli i ulët i kësaj Qeverie, e cila nuk ka dije, vullnet e as gatishmëri t’i kryejë obligimet”.

“Me këtë sjellje të Qeverisë qytetarët nuk mund të presin ndonjë realizim të të drejtave të tyre”.

“Të mos harrojmë se imazhi i Qeverisë Thaçi në Zvicër dhe në përgjithësi në botë është në nivelin më të ulët të mundshëm”.

“Zgjidhja e kësaj çështje mund të bëhet me një angazhim të mirëfilltë të Qeverisë. Nuk kërkohet shumë punë por vetëm kërkohet vullnet politik”.

Donika Kadaj-Bujupi thotë se kjo çështje duhet të zgjidhet nga Qeveria më së largu edhe tre muaj. Ajo tha se si deputete do të vazhdojë ta ngritë këtë çështje edhe më tej.

“Brenda një afati sa më të shkurtër kohor, minimumi një muaj, maksimumi tre muaj kërkojmë të merren hapa konkretë që të nënshkruhet një marrëveshje për rastet sociale”, është shprehur deputetja Donika Kadaj- Bujupi.