Qeveria e pranon se ekonomia nuk po ecën sipas pritjeve

Qeveria e Shqipërisë ka pranuar për herë të parë zyrtarisht se ekonomia nuk po ecën sipas pritshmërive dhe rimëkëmbja e saj do të jetë më e ngadaltë nga ajo që parashikohej në fillim të këtij viti.

Lajme

08/08/2015 16:15

Në kuadrin e fundit makroekonomik dhe fiskal, Këshilli i Ministrave ka korrigjuar në ulje shifrën e rritjes ekonomike, jo vetëm për këtë vit, por edhe për tre vitet e ardhshme.

Sipas dokumentit strategjik për 2015-ën rritja ekonomike është ulur nga 3 për qind që ishte vlerësimi fillestar, në 2.7 për qind. Por teksa ulja për këtë vit ishte paralajmëruar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, surprizë ka qenë rishikimi në ulje për të gjithë horizontin afatmesëm.

Më specifikisht për vitin 2016, vlerësimi për rritjen ekonomike është ulur nga 4 në 3.4 për qind, për 2017-ën nga 4.5 në 4 për qind. Po kështu edhe për vitin 2018, rritja është korrigjuar nga 4.5 në 4.3 për qind, raporton Top Channel.

Ulja e pritshmërive në të gjithë harkun kohor të kuadrit afatmesëm, tregon se tashmë qeveria pret një rigjallërim më të ngadaltë të aktivitetit ekonomik nga vlerësimet zyrtare të deritanishme.

Treguesi i rritjes ekonomike nuk është i vetmi që është korrigjuar në përkeqësim. Edhe shifra e borxhit publik do të jetë më e lartë nga ajo që pritej në fillim të vitit, e madje programi për uljen e tij është ndryshuar.

Nëse në fillim të vitit, qeveria ishte zotuar se do e ulte borxhin në 68.9 për qind të Prodhimit Kombëtar për vitin tjetër, tani shifra është korrektuar në 71.3 për qind.

Ashtu si rritja ekonomike edhe borxhi është korrektuar në përkeqësim për të gjithë horizontin afatmesëm dhe në fund të vitit 2018 shifra e tij do të jetë 65.8 për qind nga 62.1 për qind e Prodhimit Kombëtar që parashikonte kuadri i mëparshëm.