Qeveria shprehet e përkushtuar në luftimin e ekstremizmit dhe radikalizmit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim drejtorin ekzekutiv të Fondit Global për Angazhim të Komunitetit dhe Rimëkëmbjes (GCERF), me Seli në Gjenevë, Khalid Koser.

Lajme

02/02/2016 16:08

Mustafa shprehu përkushtimin e Qeverisë dhe të gjitha institucioneve të vendit në adresimin e sfidave që lidhen me luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm.

Në këtë aspekt, kryeministri Isa Mustafa, theksoi hapat konkret të Qeverisë së Kosovës, duke veçuar hartimin dhe miratimin e Strategjisë Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Planin e Veprimit të saj.

“Drejtori ekzekutiv i Fondit Global për Angazhim të Komunitetit dhe Rimëkëmbjes (GCERF), me Seli në Gjenevë, Khalid Koser, duke u falënderuar për pritjen, vlerësoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës dhe lidershipit kosovar në këtë drejtim”, thuhet në njoftim.

Koser, po ashtu, theksoi se Kosova është shembull për mënyrën proaktive dhe masat e ndërmarra në adresimin e kësaj sfide globale.

Gjatë takimit, u bisedua edhe për rëndësinë e përfshirjes së Kosovës në fondin për përkrahjen e institucioneve të vendit në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm, i cili do të krijojë mundësi dhe do të ndihmojë në fuqizimin e rolit të qytetarëve në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm./lajmi.net.