Qeveria e Kosovës konfirmon ftesën e BE-së për t’u takuar me Serbinë

Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se ka marrë ftesë nga Bashkimi Evropian për takimin e radhës me Serbinë.

Lajme

24/09/2020 17:52

Bashkimi Evropian e ka bërë gati agjendën e raundit të radhës të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili është planifikuar të zhvillohet në tri takime në Bruksel gjatë javës së ardhshme.

Se Kosova e ka marrë një ftesë për takimin e radhës në Bruksel e ka konfirmuar për lajmi.net Xhavit Beqiri, këshilltar i kryeministrit Avdullah Hoti.

Beqiri ka thënë se e kanë marrë një ftesë të tillë mirëpo, nuk ka treguar se a do t’i përgjigjen apo jo kësaj ftese.

“Po, ftesa ka ardhur”, është përgjigjur shkurt për lajmi.net, Beqiri.

Lexo edhe: 

BE-ja ka dërguar ftesat për dialog, takimi varet nga përgjigja e Kosovës dhe Serbisë

Theksojmë se është raportuar që Bashkimi Evropian ka planifikuar t’i vë përballë Kosovën dhe Serbinë në tri takime të njëpasnjëshme, më 27, 28 dhe 29 shtator.

Takimi i nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq është planifikuar të mbahet të martën e 29 shtatorit.

Çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është raportuar se mund ta bllokojë dialogun, teksa Serbia po insiston që kjo të diskutohet në Bruksel.

Kryeministri Avdullah Hoti, në një konferencë për media sot tha se kjo çështje është e mbyllur dhe se nuk do të diskutohet më.

“Kjo temë nuk diskutohet sepse është mbyllur me marrëveshjen e vitit 2013 dhe pastaj marrëveshja tjetër me parime e vitit 2015, që në fakt e përmirëson marrëveshjen e vitit 2013. Pra, kjo nuk është temë që hapet në procesin e dialogut”, ka thënë Hoti.

Presidenti Hashim Thaçi dhe partitë opozitare gjithashtu kanë tërhequr vërejtjen që kjo temë të mos jetë në tavolinën e bisedimeve me Serbinë. /Lajmi.net/

Lexo edhe: 

Hoti e konfirmon mundësinë e dështimit të takimit të 28 shtatorit me Vuçiqin në Bruksel