Qeveria e Kosovës heq masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, Hoti: Po i japim shancë dialogut

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti në mbledhjen e dytë të qeverisë së tij ka hequr reciprocitetin ndaj serbisë.

Lajme

06/06/2020 10:24

Ai këtë e ka bërë të ditur në konferencë për media duke thënë se po i jep një shancë dialogut dhe pret edhe nga Serbia t’i heqin të gjitha pengesat dhe të rifillojë dialogu, shkruan lajmi.net.

“Sot në ditën e dytë të punës kemi miratuar rregullorën e organizimit të qeverisë në përputhje me Kuvendin e Kosovës. Sot kemi marrë vendim për heqjen e pengesave për dialogun. Ne presim të njëjtën gjë edhe nga pala serbe t’i heqin të gjitha pengesat dhe të rifillojmë dialogun.”, tha kryeministri Hoti.

Bëhet fjalë për shfuqizimin e Propozim-vendimit për shfuqizimin e vendimit të Qeverisë Nr. 01/14, të datës 20 mars 2020, Vendimit të Qeverisë Nr. 01/20, të datës 31 mars 2020, për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë dhe vendimin e Qeverisë Nr. 01/37 të datës 30 maj 2020 për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/20, të datës 31 mars.

Në konferencën e tij për media, kryeministri Hoti tha se ka marrë vendimin për heqjen e pengesave në përputhje me zotimet e tij tek partnerët ndërkombëtarë.

Ai shprehet se për këtë ekziston dakordim me miqtë ndërkombëtarë dhe ata do t’i bëjnë presion edhe palës serbe për heqjen e pengesave.

“Kemi marrë një vendim të rëndësishëm sot duke i hequr pengesat për procesin e dialogut në përputhje me zotimet që i kemi dhënë tek partneret ndërkombëtarë. Ne do të ruajmë të drejtën tonë si shtet sovran për të vendosur të gjitha masat e nevojshme për të ruajtur shtetësinë tonë. Kemi një dakordim me miqtë ndërkombëtarë që presioni i tyre do të jetë karshi Serbisë që t’i heqin pengesat për dialog dhe ne do të ulemi më pastaj në tavolinën e bisedimeve. Ne nga sot i kemi hequr të gjitha pengesat dhe për një kohë të arsyeshme.”, tha Hoti në konferencë për media.

Më tutje, ai tha se këto masa hiqen për një kohë të caktuar, të arsyeshme dhe nëse dialogu nuk prodhon sukses atëherë masat do të kthehen në fuqi.

“Vendimet vinë si rezultat i koordinimit të punës tonë me partnerët tanë ndërkombëtarë, zotimin që e kemi marrë si qeveri është t’i heqim këto pengesa dhe t’i japim mundësi dialogut t’i zgjedhim këto çështje të pazgjidhura, dje ia kam konfirmuar këtë edhe ambasadorit Kosnett dhe mora përkrahje lidhur me këtë proces. Ne presim të marrim konfirmim të njëjtë nga ana tjetër. Janë hequr të gjitha pengesat për një kohë të caktuar, të arsyeshme për t’i dhënë mundësi dialogut dhe nëse dialogu nuk prodhon sukses, atëherë do t’i marrim përsëri të gjitha masat e mundshme.”, tha Hoti. /Lajmi.net/