Qeveria e Kosovës dhe kryetarët e komunave apelojnë për dialog

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur sot në takim kryetarët e Komunave të Kosovës.

Lajme

08/02/2016 17:50

Sipas njoftimit, kryeministri Mustafa, theksoi se një prej çështjeve shumë të rëndësishme në të cilën duhet të punohet bashkërisht sivjet, është Marrëveshja për Stabilizim Asociim, si një hap shumë i rëndësishëm i Kosovës në integrimin përfundimtar drejt BE-së, transmeton lajmi.net

“Kemi të bëjmë me sfida të përbashkëta, jo vetëm në fushën e zhvillimit ekonomik dhe të përgatitjes së bizneseve tona që të kenë qasje në tregun evropian, por kemi edhe në forcimin e shtetit ligjor, integrimin e komuniteteve dhe sigurimin e paqes dhe stabilitetit në vend, që është detyrë e jona e përbashkët”, ka thënë kryeministri.

Mustafa ka veçuar edhe punën e përbashkët që duhet të bëhet për plotësimin e kritereve dhe rekomandimeve për liberalizimin e vizave dhe zhvillimin e gjithanshëm ekonomik, infrastrukturor dhe social të vendit.

Ndërkaq, duke folur për aktualitetin politik, Mustafa, i ka njoftuar kryetarët e komunave për takimin e sotëm te Presidentja e vendit për të tejkaluar situatën në të gjendet Kosova.

Ai ka deklaruar se ka shprehur gatishmërinë e plotë që përmes dialogut, sidomos në Kuvendin e Kosovës, të realizohen synimet e përbashkëta që kanë të bëjnë me interesin e vendit, me partneritetin evropian dhe euroatlantik, si çështje madhore të vendit, për të cilat nevojitet konsensus dhe punë e përbashkët.

Zëvendëskryeministri Thaçi ka folur për angazhimet e përbashkëta dhe dialogun e vazhdueshëm ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale, të cilat sipas tij, kanë rezultuar me të arritura të mëdha në të gjitha fushat e jetës dhe në shërbim të interesave të qytetarëve.

“Askush askënd nuk e ka votuar për të krijuar dhunë, por përkundrazi, që të kemi një relacion të punës së përbashkët të agjendës shtetërore të Republikës së Kosovës”, tha Thaçi, duke veçuar rëndësinë e komunikimit për interesa të përbashkëta të të gjithë qytetarëve.

“A është qeverisja e mirë apo jo, e vendosin qytetarët me votën e vet, dhe ne do të respektojmë. Theksoj se është momenti për një urtësi, mençuri, dhe përgjegjësi qytetare e shtetërore. Kemi kaluar situata shumë më të rënda bashkërisht e jam shumë i bindur që edhe këto momente incidentale e të panevojshme do t’i tejkalojmë”, ka deklaruar Thaçi.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, njëherësh kryetar i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, shprehu gatishmërinë e komunave të Kosovës që  t’i bashkërendojmë aktivitetet me qëllimin të shfrytëzimit të mundësive në agjendën e integrimeve, të zhvillimit ekonomik dhe bashkërenditjen e aktivitetet për t’u përballuar me sfidat para vetes.

“Ne inkurajojmë dialogun politik dhe gjithë spektrin politik për një komunikim të vazhdueshëm dhe dialog politik, me qëllimin që të zgjidhim problemin politik, sepse nuk mund të jemi indiferent as ne si kryetarë të komunave karshi gjendjes aktuale politike, gjithmonë duke përjashtuar si opsion dhunën politike”, ka deklaruar Ismajli.

Sipas tij, edhe problemet më të mëdha të cilat kanë eskaluar me luftëra dhe konflikte, në fund janë zgjidhur me dialog politik, dhe zgjidhen me dialog politik.

“Dhe kjo është arsyeja dhe argumenti i fuqishëm që dialogun politik ne duhet ta vazhdojmë dhe nuk kemi nevojë ta eskalojmë në dhunë. Edhe dhuna në institucione, edhe dhuna në rrugë janë skena të cilat realisht pengojnë të gjitha aktivitetet, e bashkë me të atakojnë edhe aktivitetet në nivele komunale”, ka shtuar Ismajli. /lajmi.net