Qeveria duhet të trajtojë me kujdes humbjet e industrisë së rëndë nga pandemia
Ndikimi i COVID-19 në ekonominë e vendit po vazhdon të krijojë sfida të paprecedenta, sidomos për industritë që varen nga punët që nuk mund të bëhen nga distanca, siç është ajo e industrisë së rëndë, derisa ndërmarrjet që operojnë në këtë industri kanë nevojë të theksuar për përkrahje nga Qeveria. Këto u thanë mes tjerash në një forum virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mbi ndikimin e pandemisë në industrinë e rëndë.

Lajme
Genci Beribashi, koordinator i projektit në NewCo Ferronikeli, potencoi faktin se gjatë kohës së pandemisë mbijetesa e kompanive të industrisë së rëndë, përkatësisht metalurgjisë dhe sektorit minerar varen jo vetëm nga masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës por edhe nga tregjet ndërkombëtare që kanë ndikim direkt në përfitimet nga eksporti. Ai potencoi se veprimtaritë e Ferronikelit sjellin një vlerë të shtuar në ekonominë e Kosovës, marrë parasysh faktin se kjo kompani shënon 40% të eksporteve të vendit. Sipas tij, nga mosvazhdimi i veprimtarisë së Ferronikelit ekonomia e Kosovës ka humbur 8 deri në 9 milionë euro në muaj, ndërsa masat konkrete që mund të ndërmerren nga Qeveria e Kosovës për të ndihmuar kompanitë e këtij sektori janë reduktimi i taksave lidhur me rentat minerare dhe reduktimi i tarifave për energjinë elektrike, si dhe garantimi i kredive të buta.